Masakra e Via D’Amelio 34 vjet më vonë, Italia kujton Paolo Borsellinon mes apelit për drejtësi dhe ligjshmëri

Europë | 3 muaj më parë

Më 19 korrik 1992, saktësisht në orën 16:58, një makinë-bombë e parkuar përpara numrit 19 në Via Mariano D’Amelio në Palermo do të ndryshonte përgjithmonë historinë e Italisë. Shpërthimi mori jetën e gjyqtarit të njohur antimafia Paolo Borsellino dhe pesë agjentëve të skuadrës së tij të sigurisë: Agostino Catalano, Emanuela Loi (gruaja e parë pilote e policisë që ra në detyrë), Vincenzo Li Muli, Walter Eddie Cosina dhe Claudio Traina. I mbijetuari i vetëm i asaj masakre ishte oficeri Antonino Vullo, i cili po parkonte njërën nga makinat e patrullës.

Sot, 34 vjet pas asaj ngjarjeje tragjike që pasoi me vetëm 57 ditë masakrën e Capaci-t ku mbeti i vrarë Giovanni Falcone, krerët më të lartë të shtetit italian dhe liderët politikë kanë nderuar kujtimin e viktimave, duke theksuar se kërkimi i së vërtetës dhe lufta kundër Cosa Nostra-s mbeten sfida të hapura.

Mattarella: “Komploti subversiv u mposht nga shteti”

Presidenti i Republikës Italiane, Sergio Mattarella, vuri në dukje se sulmet e njëpasnjëshme të vitit 1992 synonin gjunjëzimin e demokracisë, por institucionet reaguan me forcë.

“Masakra e Via D’Amelio, dy muaj pas masakrës së Capaci-t, preku thellësisht ndërgjegjen e vendit. Ajo përfaqësoi kulmin e një plani subversiv që synonte minimin e institucioneve demokratike. Ai plan subversiv u mposht. Republika ka treguar veten më të fortë, duke kapur dhe dënuar autorët dhe nxitësit.”, tha ai.

Mattarella shtoi se Falcone dhe Borsellino mbeten simbole të rimëkëmbjes qytetare, duke mbjellë një kulturë ligjshmërie që duhet të nisë që nga sjellja e përditshme dhe në shkolla.

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ndau një mesazh ku theksoi ndikimin personal dhe kombëtar të kësaj date, duke cituar një nga thëniet më të njohura të Borsellinos për rolin e brezit të ri:

“Paolo Borsellino na la një trashëgimi guximi, dashurie për vendin dhe besimi tek të rinjtë: ‘Nëse të rinjtë ia mohojnë mbështetjen, edhe mafia e plotfuqishme dhe misterioze do të zhduket si një makth’. Në kujtim të tij, ne vazhdojmë të ndjekim rrugën që ai na tregoi.”

Nga ana tjetër, Ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi e cilësoi ngjarjen si një “plagë të pashlyeshme” dhe vlerësoi “heronjtë e heshtur” që frymëzojnë shërbimin ndaj së mirës së përbashkët. Ndërkaq, në nivel evropian, Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, deklaroi se Borsellino mishëroi vlerat themeltare të Evropës si guximi, integriteti dhe liria.

Përfaqësuesit e opozitës italiane shfrytëzuan përvjetorin për të kërkuar më shumë angazhim konkret dhe më pak retorikë nga institucionet. Sekretarja e Partisë Demokratike, Elly Schlein, vuri theksin te nevoja për mbështetje sociale në zonat e riskuara:

“Kujtesa nuk është e mjaftueshme është e nevojshme të forcohet punë e gjyqësorit dhe zbatimit të ligjit, dhe nga ana tjetër, antitrupat kulturorë dhe socialë. Sepse vetëm aty ku ekziston dhe funksionon shteti, ne shmangim krijimin e boshllëqeve që mafia t’i zërë.”

Në të njëjtën linjë, Presidenti i Lëvizjes Pesë Yje, Giuseppe Conte, kritikoi politikat e fundit ndaj krimit të organizuar, duke njoftuar një paketë të re masash antimafia në Parlament:

“Retorika e rreme është e padobishme përballë një pengese të rrezikshme në luftën kundër mafias. Nevojiten veprime koherente dhe konkrete. Duhet ta rifillojmë luftën për ligjshmëri, e cila është dobësuar rëndë vitet e fundit.”

Edhe pas më shumë se tre dekadave, Via D’Amelio mbetet një udhëkryq i dhimbshëm i historisë italiane, duke dëshmuar se kujtimi i dëshmorëve të drejtësisë qëndron i gjallë vetëm përmes kërkimit të pandalshëm të së vërtetës dhe forcimit të ligjit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme