Masakra në Shkodër, Berisha: Qyteti i pushtuar nga atentatet, policia i fsheh

Politikë | 2 vite më parë

Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar për ngjarjen e rëndë të ditës së djeshme ku mbetën të vrarë tre persona, mes tyre edhe një grua e pafajshme.

Në një konferencë online për mediat, Berisha ka folur nga banesa e tij duke theksuar se  “asnjëri nga ata që humbën jetën, nuk rezulton të ketë pasur gjer sot asnjë problem me drejtësinë, në veçanti çifti Basha që u gjet rastësisht në vendin e pritës, tek kthehej nga puna në fermën e tyre të vogël, me të cilën mbanin fëmijët”

Sipas Berishës, masakra e djeshme në Shkodër është vijim i sërë aktesh terroriste siç e quajti ai dhe atentatesh, që fshihen nga policia.

“Masakra është vazhdim i një serie aktesh terroriste, atentatesh të ndodhura muajt e fundit në Shkodër, të fshehura nga policia e Shkodrës, apo të injoruara totalisht në gjetjen dhe arrestimin e atentatorëve.

Masakra e djeshme e bandës qeveritare në Shkodër, pra vjen pas asaj të korrikut në të cilën u plagosën 3 të rinj, dy prej të cilëve u shtruan në spital, por u fsheh si ngjarje.

Vjen pas asaj të shtatorit që Shkodra e di mirë se kush është atentatori, por policia nuk mori mundimin qoftë ti bëje dhe një pyetje të vetme”, u shpreh Berisha.

Ai shtoi se kjo masakër vjen pasi i ndjeri, Arlind Bushati, tre javë më parë u përball “me atentatorë të cilëve nuk u shkrehu revolveri që i drejtuan dhe me të drejtë, si çdo qytetar tjetër i riu Arlind Bushati iu drejtua policisë, por meqenëse i ati ishte opozitar, i kampit armik të Edi Ramës dhe bandës së tij në Shkodër, nuk u mor asnjë masë për të identifikuar atentatorët”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme