“Matchmaker Albania”, Ibrahimaj: 1000 pjesëmarrës nga 40 vende, fokus te marrëveshjet konkrete dhe investimet reale

Ekonomi | 7 muaj më parë

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantoi edicionin e dytë të platformës “Matchmaker Albania”, duke theksuar rolin e saj në forcimin e dialogut ekonomik dhe tërheqjen e investimeve në vend.

Sipas saj, kjo platformë tashmë po konsolidohet si një nga hapësirat më të rëndësishme për bashkëpunim mes investitorëve, kompanive dhe institucioneve. “Matchmaker Albania” këtë vit mbledh rreth 1000 pjesëmarrës nga më shumë se 40 vende, si dhe mbi 500 kompani investimi.

“Edicioni i parë hodhi themele të forta. Në këtë edicion të dytë do të hedhim hapa përpara, kemi fokus të qartë për të pasur rezultate, për ta kaluar nga prezantimi në mundësi për të lidhur marrëveshje konkrete dhe nga ndërveprimi te investimet reale”, deklaroi Ibrahimaj.

Ajo bëri të ditur se një nga risitë kryesore të këtij edicioni është përqendrimi në katër fusha strategjike: pasuritë e paluajtshme, bujqësia inteligjente, teknologjia digjitale dhe energjia.

“Një inovacion kyç i këtij edicioni mbështetet në katër hapësira: e ardhmja e pasurive të paluajtshme, bujqësia inteligjente, horizontet digjitale dhe fuqia energjetike. Kjo reflekton sektorët ku Shqipëria po tërheq interes ndërkombëtar”, theksoi ministrja.

Platforma synon të krijojë ura konkrete bashkëpunimi dhe të nxisë investime të drejtpërdrejta në sektorët me potencial të lartë zhvillimi në Shqipëri.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme