Mbështetësit e Netanyahut zhvillojnë protesta kundër ish-ministrit të Drejtësisë

Qindra mbështetës të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu zhvilluan protesta të enjten vonë kundër ish-ministrit të Drejtësisë, Ayelet Shaked për mbështetjen e qeverisë së re të unitetit.
Mbështetësit e Netanyahut po përpiqen të bëjnë presion mbi deputetët e krahut të djathtë të cilët pritet të jenë në anën e qeverisë së unitetit të udhëhequr nga partitë e ekstremit të djathtë Yamina dhe të qendrës Yesh Atid.
Duke valëvitur flamujt izraelitë, rreth 300 protestues u mblodhën përpara shtëpisë së deputetit të Yamina, Shaked në Tel Aviv.
Bezalel Smotrich, udhëheqësi i partisë së ekstremit të djathtë Sionizmi Fetar, i cili mbështeti demonstratën, i bëri thirrje Shaked të kthehej në bllokun e krahut të djathtë të udhëhequr nga Netanyahu.
Partitë në bllokun anti-Netanyahu në Izrael ranë dakord të formojnë qeverinë e koalicionit të mërkurën.
Koalicioni i unitetit do të përbëhet nga tetë parti që synojnë të ulen në vendin e Netanyahut pas 12 vjetësh.
Për formimin e qeverisë izraelite nevojiten 61 vota ndërsa koalicioni aktual ka siguruar 62 vota.
Megjithatë, Nir Orbach, deputeti i Yamina, kishte njoftuar se ai nuk do të mbështeste një marrëveshje të tillë.
Nëse edhe ndonjë deputet tjetër mban të njëjtin qëndrim, koalicioni do të bie më pak se numri i deputetëve të nevojshëm për formimin e qeverisë së re..AA
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




