Mbështetja gjermane në Shqipëri, projekte të mëdha për energjinë, ujin dhe transportin publik
Shqipëria po thellon përfshirjen në rrjetin rajonal të energjisë për siguri dhe lidhje me Bashkimin europian. Drejtuesja e divizionit për Europën juglindore në Ministrinë gjermane për bashkëpunimin ekonomik i tha televizionit publik se investimet në nënstacione do të ndihmojnë si furnizimin me energji për Tiranën, ashtu edhe shpërndarjen rajonale.
“Në Petrelë kemi financuar një nënstacion të ri për rrjetin energjetik dhe me ndihmën e këtij nënstacioni, një pjesë e madhe e popullsisë në zonën e gjerë të Tiranës së shpejti do të furnizohet me energji pa ndërprerje. Jo vetëm popullsia, por edhe bizneset që varen nga energjia elektrike. Ky furnizim dhe ky nënstacion nuk do të shërbejnë vetëm për zonën e Tiranës, por gjithashtu do të përmirësojnë shpërndarjen rajonale të energjisë. Kjo do të thotë se në të ardhmen do të ekzistojë një rrjet i madh energjetik që do të furnizojë të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe do të sigurojë edhe lidhjen me Bashkimin Europian. Aktualisht, Shqipëria ka një furnizim energjetik relativisht klimë-neutral për shkak të përdorimit të madh të hidrocentraleve, por duhet diversifikuar më tej përmes investimeve në energjinë e erës dhe atë diellore, për të përballuar kërkesën në rritje për energji. Ne do të vazhdojmë të mbështesim këtë proces dhe kemi alokuar fonde përkatëse”, deklaroi ajo.
Furnizimi me energji dhe ujë të pijshëm janë në fokus të këtij grupi projektesh.
“Siç e përmenda, energjia e rinovueshme është një fushë kyçe. Ne mund të mësojmë nga njëri-tjetri dhe Shqipëria mund të përfitojë edhe nga mbështetja financiare gjermane. Kjo do të reflektohet drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve, përmes një furnizimi të sigurt me energji. Për furnizimin me ujë të pijshëm, me mbështetjen tonë, është arritur që një pjesë e madhe e popullsisë të ketë furnizim të vazhdueshëm me ujë të pastër”, shtoi ajo.
Po ashtu, pas një ndjekjeje nga afër të transportit urban në Tiranë, me fokus në projektet gjermane, zyrtarja e lartë gjermane përcolli projektin konkret.
“Po, patëm mundësinë të udhëtonim me autobus në Tiranë. Gjithnjë e më shumë njerëz po vijnë në Tiranë dhe gjithnjë e më shumë duan të lëvizin. Zgjidhja është të kalohet më shumë drejt transportit publik, siç janë autobusët, për të arritur më shpejt në destinacion. Mendoj se ky është një projekt i përbashkët që do të jetë shumë i dobishëm për qytetarët e Tiranës”, nënvizoi zyrtarja e lartë gjermane.
Në të njëjtat terma të ndihmës znj. Warnecke iu referua ekonomisë qarkulluese.
“Ekonomia qarkulluese është një temë shumë komplekse. Nga njëra anë duhet të krijohet kuadri ligjor dhe qeveria shqiptare tashmë ka bërë përparim të madh në këtë drejtim. Nga ana tjetër, duhet të krijohen kushtet konkrete që, për shembull, një shishe plastike uji, të mos përfundojë në lumë apo të hidhet në natyrë, por të riciklohet. Për këtë duhet të krijohen kushtet që mbetjet të mblidhen dhe që këto mbetje, si për shembull shishet bosh, të dorëzohen në pika të posaçme. Aty ato grimcohen dhe materialet e para ripërdoren për produkte të reja, si p.sh. karrige plastike. Ne e mbështesim qeverinë shqiptare në këtë drejtim. Bëhet fjalë për investime të mëdha. Fillimisht ne mbështesim legjislacionin shqiptar, por gjithashtu është e nevojshme të ndërtohet infrastruktura përkatëse, si pikat e grumbullimit të mbetjeve. Kjo kërkon shumë fonde”, theksoi ajo.
Referuar bisedimeve të gjata me qeverinë shqiptare, drejtuesja e delegacionit gjerman pohoi edhe fokusin e anëtarësimit në BE.
“Ne kemi interes të madh për të ndihmuar në krijimin e kushteve në këtë tranzicion dhe për të mbështetur qevrinë shqiptare në ndërtimin e kuadrit ligjor dhe për t’ju treguar shqiptarëve përfitimet konkrete të anëtarësimit në BE”, tha ajo.
Gazetare: Entela Komino
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




