Mbi 900 të vrarë e të zhdukur në kufi gjatë diktaturës, Sula: Nuk ka gjurmë

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve, u mbajt të mërkurën simpoziumi “Nga e kaluara në përkujtim: Kufijtë e diktaturës 1944–1991”.
Aktiviteti i organizuar nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944–1991 (AIDSSH) në bashkëpunim me Shoqatën Antikomuniste të Ish-të Përndjekurve Politikë Demokratë, Bashkinë e Pogradecit dhe disa departamente e institute, synoi t’i bëjë jehonë krijimtarisë akademike të bazuar në dokumente dhe dëshmi gojore.
Për shumë të vrarë në kufijtë e Shqipërisë nuk ka varre dhe as një studim të saktë, një fakt që e tregoi edhe drejtuesja e AIDSSH-së, Gentiana Sula.
“Me hapjen e Arkivit kemi konstatuar një udhëzues të kohës i cili i detyronte organet të mos u japin gjurmët familjarëve. Besojmë që ka qenë një dëshirë për t’i shkëputur ngjarjet nga hetimi dhe për ta shkëputur nga kujtesa e nderimet këta persona. Rezulton që në disa raste ka të vdekur e të zhdukur në kufi. Kemi të paktën 10 aplikime në këtë kategori,” u shpreh znj. Sula.
Kalimi i palejuar i kufirit në vitet 1944–1991, sfidat dhe pasojat e tij tek njerëzit që guxuan ta shkelnin atë, dokumentimi i motiveve, ndërtimi i profilit të shkelësit të kufirit, identifikimi i shtigjeve dhe kthimi i tyre në vende të kujtesës, janë disa sfida që i paraprijnë aksionit të AIDSSH për hetimin e vendvarrimeve të dyshuara, për trupat e atyre që nuk iu dorëzuan kurrë familjarëve.

Atë kohë, ndër shumë të përndjekur ishte edhe familja Beci nga Velipoja. Gjek Beci, kryetar i Shoqatës për të Vrarët në Kufi, tregoi historinë e tij personale.
“Edhe më përpara kërkohej të internohej familja, të burgoseshin prindërit. Kur u liberalizua ligji morëm iniciativën me vëllain për t’u larguar. Pabesisht na vranë, megjithëse ishte liberalizuar ligji. Ata na qëlluan pa paralajmërim. Unë kam ngelur i plagosur dhe ka vdekur në vend vëllai im.
Në kufi vetëm në vitin 1989–1990 në rrethin tim janë vrarë 33 veta, që nga 4 vjeç, si Anisa Aleksandër Gruda, 16 vjeç Pëllumb Pëllumbi, një çift i ri i sapofejuar Dhurata Sokoli dhe Elez Kraja, që donin ta ndërtonin jetën e tyre në një vend tjetër, jo këtu ku mungonte liria, dhe shumë të tjerë. Mendohet që në vitet 1944–1991 janë vrarë ose zhdukur në kufijtë e Shqipërisë rreth 980 veta,” deklaroi z. Beci.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




