Mbretëria e Bashkuar liron të burgosurit për të lehtësuar burgjet e mbipopulluara

Botë | 2 vite më parë

Ka filluar në Angli dhe Uells zbatimi i planit emergjent të Ministrisë së Drejtësisë për adresimin e krizës së mbipopullimit të burgjeve, ku mëngjesin e kësaj të marte nisi lirimi i kontingjentit të parë prej 1750 të burgosurish të dënuar me më pak se pesë vite burg dhe që kanë kryer rreth 40 për qind të dënimit të tyre. 

Nën planin emergjent, pritet të lirohen deri në 5500 të dënuar, por nga ai përjashtohen personat të dënuar më vepra të rënda, si dhe të dënuarit për krime seksuale apo dhunë në familje.  Javën e shkuar numri I përgjithshëm i të burgosurve në Angli dhe Uells shkoi në 88 521, shifra kjo më e lartë në histori, që tregonte që të gjitha institucionet penitenciare ishin të mbushura.

Skemën për lirimin të burgosurve, laburistët e drejtuar nga kryeministri Kir Starmer njoftuan pasi erdhën në pushtet., megjithëse zyrtarët përkatës kishin filluar ta përgatisnin qëkur vendi drejtohej nga konservatorët

Në datën 22 tetor, skema do të zgjerohet duke përfshirë edhe të dënuar me më shumë se pesë vite burg. Por pavarësisht se do të lirohen, të dënuarit do të jenë subjekt I kufizimeve deri në përfundim të dënimit, si mbajtja e byzylykëve elektronikë, dhe do të mbikëqyren nga oficerët e shërbimit të lirimit me kusht.   

Kreu i këtij shërbimi Martin Jones ndërkohë u shpreh për mediat britanike se departamenti që ai drejton është nën presion të madh, ndërsa paralajmëroi se inspektorët do ta kishin të vështirë të përballonin këtë fluks pune edhe për shkak të pagave të ulëta, çështjeve strukturore dhe organizative si dhe mungesës së moralit. Sipas tij kishte shumë gjasa që të liruarit të kryejnë sërish vepra penale pas daljes, dhe se ajo për të cilën kishte nevojë vendi ishte një sistem i shëndetësisë i drejtësisë penale si dhe investime. 

Edhe kryeinspektori i burgjeve Charlie Taylor ndau të njëjtin mendim. Ndërsa pranoi se qeveria nuk kishte pasur zgjedhje tjetër për të adresuar mbipopullimin e burgjeve, Taylor theksoi se  lirimi i hershëm I të burgosurve paraqiste disa rreziqe pasi të përballur me probleme, si mungesa e një strehe të sigurt, ata mund ti riktheheshin ciklit të krimit, përdorimit të drogës apo më keq.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme