Mbrojtja e konsumatorit dhe integrimi në BE, forcohet mbikëqyrja e tregut për produkte të sigurta

Me qëllim rritjen e sigurisë së produkteve joushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorëve, qeveria shqiptare ka propozuar një projektligj për shtesa dhe ndryshime në ligjin ekzistues “Për tregtimin dhe mbikëqyrjen e tregut të produkteve joushqimore”. Kjo nismë ligjore shënon një hap thelbësor drejt modernizimit të kuadrit rregullator dhe harmonizimit me standardet më të fundit të Bashkimit Evropian, veçanërisht me Rregulloren (BE) 2019/1020.
Ligji aktual, i cili harmonizonte pjesërisht një rregullore të vjetër të BE-së, nuk i adresonte plotësisht sfidat e reja të tregut global, kompleksitetin e zinxhirëve të furnizimit dhe rritjen e shpejtë të tregtisë elektronike.
Në relacionin shoqërues theksohet se: “Produktet e pasigurta, mungesa e uniformitetit në zbatim dhe koordinimi i dobët institucional kanë qenë disa nga problematikat kryesore”.
Ky projektligj synon të sjellë një qasje më të fortë dhe më efikase, duke garantuar që vetëm produktet që përmbushin kërkesat e sigurisë dhe cilësisë të vendosen në tregun shqiptar.
Çfarë sjell projektligji i ri?
Ligji tani do të përfshijë përkufizime të qarta për “produktin e përdorur,” “produktet që hyjnë në tregun shqiptar,” “ofruesin e shërbimit të zbatimit të porosive” (fulfillment service provider), “ndërfaqen online,” “produktin që paraqet rrezik serioz,” “përdoruesin e fundit,” dhe “shitjen në largësi.” Kjo qartëson fushën e zbatimit dhe përgjegjësitë.
“Prodhuesit, importuesit, shpërndarësit dhe ofruesit e shërbimeve të zbatimit të porosive do të kenë përgjegjësi më të qarta për përputhshmërinë e produkteve, dokumentacionin teknik dhe bashkëpunimin me autoritetet. Për disa grupe specifike produktesh, do të kërkohet një operator ekonomik i regjistruar në Shqipëri”, nënvizohet në dokumentin shoqërues të projektligjit.
Projektligji adreson sfidat e tregtisë elektronike duke përcaktuar kriteret se kur një produkt i ofruar online konsiderohet i vendosur në tregun shqiptar. Kjo do të fuqizojë autoritetet të ndërhyjnë në rastet e produkteve të pasigurta të shitura përmes internetit, duke përfshirë mundësinë për të kërkuar heqjen e përmbajtjes nga platformat online.
Nga ana tjetër, lidhur me strategjinë kombëtare të mbikëqyrjes së tregut, do të hartohet një strategji katërvjeçare për të siguruar një qasje të qëndrueshme dhe të integruar në mbikëqyrjen e tregut, duke përfshirë të gjithë sektorët dhe zinxhirët e furnizimit, si ata tradicionalë ashtu edhe ata digjitalë.
Përpos kësaj do të krijohet edhe një zyrë e vetme ndërlidhëse. Kjo zyrë, pjesë e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI), do të koordinojë mbikëqyrjen e tregut dhe bashkëpunimin ndërinstitucional me autoritetet doganore dhe institucionet e tjera. Ajo gjithashtu do të administrojë një sistem elektronik të informacionit dhe komunikimit, i cili synon integrimin e ardhshëm me sistemin evropian ICSMS.
Autoritetet e mbikëqyrjes së tregut do të kenë të drejta më të gjera, si kryerja e kontrolleve pa njoftim paraprak, marrja e mostrave (edhe nën identitet të fshehtë), dhe urdhërimi i masave korrigjuese, përfshirë ndalimin, tërheqjen ose shkatërrimin e produkteve të rrezikshme.
Mbrojtja e konsumatorit dhe integrimi në BE
Ky projektligj është një angazhim kyç i Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit në BE, duke reflektuar përmbushjen e kërkesave të Kapitullit 1 (Lëvizja e lirë e mallrave). Harmonizimi me Rregulloren (BE) 2019/1020 synon të sigurojë që produktet në tregun shqiptar të jenë në përputhje me standardet evropiane, duke rritur besimin e konsumatorëve në cilësinë dhe sigurinë e tyre.
“Me këto ndryshime, Shqipëria jo vetëm që forcon mekanizmat e saj të brendshëm për sigurinë e produkteve, por gjithashtu ecën përpara në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke krijuar një mjedis tregtar më të drejtë dhe më të sigurt për të gjithë.”, nënvizohet në relacionin shoqërues të projektligjit “Për tregtimin dhe mbikëqyrjen e tregut të produkteve joushqimore”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




