Mbrojtja e krahut verior të NATO-s, aleanca më e madhe ushtarake do të ngrejë një qendër logjistike në Suedi
NATO-ja ka vendosur të ngrejë një bazë logjistike në qytezën suedeze të Enköping, në veriperëndim të Stokholmit, për lëvizjen e trupave në Evropën veriore.
“Prania e NATO-s në Suedi fuqizon sigurinë tonë. Qendra logjistike ndihmon mbrojtjen e krahut verior të Aleancës,” u shpreh ministri suedez i Mbrojtjes, Pål Jonson.
Sipas qeverisë suedeze, baza do të ketë një staf prej 70 personash në kohë paqeje.
“Në kohë alarmi dhe lufte, stafi i qendrës do të shkojë deri në 160 persona,” shkruhet në deklaratën e qeverisë suedeze.
Forcat e armatosura të vendit nordik, ndërkohë, janë udhëzuar të merren me përgatitjet dhe ngritjen e bazës, në mënyrë që të jetë funksionale deri në fund të vitit 2027.
Ministri i Mbrojtjes, Jonson, bëri me dije se puna në qendër do të përqendrohet në transportimin e furnizimeve të ndryshme, si karburant, municione apo pjesë këmbimi.
“Synimi është të jemi të aftë të transportojmë sasi të mëdha pajisjesh dhe personeli në territorin suedez,” theksoi Jonson.
Në mars të vitit 2024, Suedia hoqi dorë nga dy shekuj neutralitet ushtarak dhe u anëtarësua në NATO, duke u bërë anëtari i 32-të i aleancës më të madhe ushtarake në botë.
Gazetare: Elda Pepa
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




