Mbrojtja e të miturve në internet, BE propozon ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 13 vjeç

Bashkimi Evropian po përgatit një kthesë rrënjësore legjislative për të kufizuar qasjen e të miturve në mjedisin digjital. Gjatë fjalimit të saj për Gjendjen e Unionit në Strasburg, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, prezantoi kuadrin e ri rregullator të titulluar “Akti për Fëmijë”, i cili synon të vendosë kufizime të rrepta për mediat sociale, videolojërat online dhe chatbot-et me inteligjencë artificiale.
Nisma e re parashikon rregulla të qarta për fashat e moshave. “Nuk lejohen llogari personale për fëmijë nën 15 vjeç. Nuk lejohen qasje në mediat sociale për fëmijë nën 13 vjeç”, deklaroi prerazi von der Leyen përpara eurodeputetëve.
Struktura e kufizimeve dhe “llogaritë mini”
Sipas propozimit të Komisionit Evropian, fëmijët e moshës nga 13 deri në 15 vjeç do të lejohen të përdorin platformat vetëm përmes të ashtuquajturave “llogari mini”. Këto llogari do të kërkojnë pëlqimin e drejtpërdrejtë dhe mbikëqyrjen e prindërve, do të kenë funksionalitet të kufizuar dhe do të shoqërohen me kufizime të rrepta në kohën e përdorimit. Vetëm pas moshës 15-vjeçare të miturit do të mund të krijojnë profile të pavarura, por gjithnjë nën masa të shtuara sigurie.
Në qendër të kësaj reforme është ndryshimi i qasjes ndaj përgjegjësisë ligjore. “Platformat do të duhet të na demonstrojnë se janë të sigurta”, tha kreu i Komisionit, duke paralajmëruar përmbysjen e barrës së provës nga përdoruesit te gjigantët teknologjikë.
“Ajo që po dëshmojmë është një kapje masive e fëmijëve tanë. Një kapje e vëmendjes, përqendrimit dhe mendjeve të tyre. Kjo po u grabit fëmijëve fëmijërinë e tyre. Mjaft më. Tani është koha që Evropa të veprojë.” tha Ursula von der Leyen.
Presioni politik dhe masat ndaj platformave
Sipas të dhënave të prezantuara gjatë fjalimit, të rinjtë evropianë kalojnë mesatarisht nga katër deri në gjashtë orë në ditë përpara ekraneve, çka ka nxitur shqetësime serioze për rritjen e ankthit, humbjen e gjumit dhe varësinë digjitale. Propozimi vjen si rezultat i presionit të vazhdueshëm nga disa qeveri evropiane, ku Spanja dhe Franca kanë qenë nxitëset kryesore të kësaj nisme në Bruksel. Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez e përshëndeti paketën duke deklaruar se “fëmijëria mbrohet nga demokracitë tona”.
Rregullat e reja do të kërkojnë verifikim më efektiv të moshës dhe kontrolle strikte për algoritmet që nxisin marrëdhënie emocionale me chatbot-et ose që shkaktojnë varësi. Brukseli rikujtoi se përmes Aktit të Shërbimeve Digjitale disponon mjete ligjore për të ndëshkuar shkeljet me gjoba deri në 6% të xhiros globale të kompanive teknologjike, duke nënvlerësuar se Evropa do të vendosë rregullat e veta përballe korporatave të mëdha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




