Mbyllet procesi i vetingut, mbi 300 gjyqtarë e prokurorë të shkarkuar në 7 vjet

Aktualitet | 2 vite më parë

Sot ajo që njihet si shkalla e parë e kontrollit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë i dha fund punës. Që prej marsit të vitit 2018, kur nisi seanca e parë e të ashtuquajturit veting, u kontrolluan më shumë se 800 gjyqtarë dhe prokurorë, një pjesë e të cilëve janë në shkallën e dytë të Kolegjit të Apelimit sepse pretendojnë të qëndrojnë në sistemin e drejtësisë.

Më shumë se 300 gjyqtarë, prokurorë, ndihmës ligjorë u shkarkuan nga sistemi i drejtësisë për shkak të problemeve me pasuritë, për shkak të lidhjeve të dyshimta me krimin apo njerëz të korruptuar apo se nuk ishin të aftë profesionalisht për të qenë në piramidën e drejtësisë.

I ashtuquajturi procesi i vetingut shkaktoi një tërmet të vërtetë në radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve duke sjellë shkarkime apo dorëheqje për të shpëtuar nga procesi që nga Gjykata e Lartë, ajo Kushtetuese, në Gjykatat e Apelit, të Shkallës së Parë dhe po kështu në piramidën vertikale të Prokurorisë.

Tashmë që komisionerët e shkallës së parë të vetingut e përfunduan punën, do të jetë Kolegji i Apelimit, qeveria e gjyqtarëve dhe ajo e prokurorëve, që njihen si KLGJ dhe KLP, që do të vijojnë procesin e filtrimit të brezave të rinj të njerëzve që do të vendosin për drejtësinë në Republikën e Shqipërisë.

Gazetare: Sonila Agostini

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme