Mbytet trageti në Indonezi/Dhjetëra persona rezultojnë të zhdukur, vijojnë kërkimet në Detin Java

Botë | 2 muaj më parë

Ekipet e kërkim-shpëtimit në Indonezi vijojnë operacionin për gjetjen e 129 personave të zhdukur pas përmbysjes së një trageti në Detin Java. Deri tani, 108 persona janë shpëtuar, ndërsa gjashtë pasagjerë janë gjetur të pajetë.

Trageti “Virgo Transport 8” po udhëtonte nga Surabaya drejt Banjarmasit dhe kishte në bord 213 pasagjerë dhe 30 anëtarë të ekuipazhit. Kapiteni kishte raportuar dallgë deri në tre metra përpara se të jepte sinjalin e emergjencës, ndërsa trageti u përmbys rreth 148 kilometra larg portit të Banjarmasit.

Autoritetet thonë se anija, 119 metra e gjatë, është lokalizuar nga ajri dhe ende nuk është zhytur plotësisht. Në operacion janë angazhuar 17 anije, mes tyre edhe mjete të marinës, si dhe pesë mjete ajrore, ndërsa zhytësit dhe dronët nënujorë po kontrollojnë zonën e tragetit. Shefi i Agjencisë Kombëtare të Kërkim-Shpëtimit, Mohammad Syafii, tha se operacioni do të përqendrohet në gjashtë sektorë, me përparësi kërkimin e personave që mund të jenë në sipërfaqe.

Në portin e Banjarmasit janë mbledhur familjarë të shumtë, të cilët presin me ankth lajme për të afërmit e tyre. Ministri i Transportit, Dudy Purwagandhi, tha se trageti nuk ishte i mbingarkuar dhe se kishte kapacitet për deri në 500 persona. Megjithatë, aksidentet detare janë të shpeshta në Indonezi, ku moti i paparashikueshëm dhe standardet e dobëta të sigurisë mbeten ndër shkaqet kryesore të tragjedive

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme