Mbytja e jahtit në Siçili, prokurorët: Pasagjerët po flinin. Po hetojmë për vrasje nga pakujdesia

Mbytja e superjahtit luksoz Bayesian në brigjet e Palermos ka hedhur dyshime dhe pikëpyetje të shumta se si kjo gjë mund të ndodhte në një anije të standardeve të tilla dhe se pasagjerët, të gjithë persona me influencë në botën e biznesit dhe ekonomisë, nuk mundën të shpëtonin. Pas nxjerrjes së 7 trupave të pajetë nga rrënojat e jahtit, mes të cilëve edhe britanik të teknologjisë Mike Lynch dhe vajza e tij 18-vjeçare Hannah Lynch, prokurorët italianë kanë mbajtur një konferencë për mediat.
Prokurorët thanë se janë në fazat e hershme të hetimit, por mund të nisin akuza për vrasje nga pakujdesia, pasi të ekzaminohen rrënojat e jahtit dhe të shpjegohet se si mund të mbytej brenda sekondave. Kryeprokurori i Termini Imerese Ambrogio Cartosio tha se hetimet po vijojnë dhe se nuk ka ende një emër konkret që po hetohet për ngjarjen.
“Media operon sipas një orari rrufe të shpejtë, por orari i prokurorit është më i gjatë sepse kërkon shqyrtim të kujdesshëm,” thotë ai.
Megjithatë prokurorët thonë se superjahti është fundosur nga një tornado në brigjet e Palermos dhe jo nga vorbullat ujore.
“Kjo është një erë e lokalizuar, e fuqishme që zbret nga një stuhi dhe përhapet në mënyrë të paparashikueshme”, tha zëvendësprokurori Cammarano
Të pyetur se pse shumica e pasagjerëve ishin në një pjesë të veçantë të anijes, prokurorët thanë se “nuk ka siguri për sjelljen e pasagjerëve në bord, por ka të ngjarë që ata u përpoqën të arratiseshin, por ne nuk kemi detaje për këtë”.
Pse nuk ishin në gjendje pasagjerët të largoheshin nga varka në të njëjtën kohë me anëtarët e ekuipazhit?
“Kjo është pikërisht ajo që ne po përpiqemi të konstatojmë nga deklaratat e të mbijetuarve,” thotë prokurori.
Zëvendësprokurori Cammarano shpjegon se arsyeja pse pothuajse i gjithë ekuipazhi mbijetoi dhe pasagjerët jo, ka të ngjarë që ato të ishin në gjumë në momentin e ngjarjes.
Nga 22 pasagjerët dhe ekuipazhi në bord, 15 persona i mbijetuan fundosjes, përfshirë një fëmijë njëvjeçar dhe bashkëshorten e manjatit, Angela Bacares.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




