Më pak të mitur të përfshirë në krim- 12 raste gjatë janar-korrikut
12 të mitur janë përfshirë në një çështje penale gjatë periudhës janar-korrik të këtij viti dhe ndodhen aktualisht në Institutin e të Miturve në Kavajë. Të gjithë janë djem, në paraburgim dhe asnjëri nuk rezulton përsëritës, pasi është hera e parë që përfshihen në një vepër penale.
“Nuk ka një profil të caktuar të një të mituri për të hyrë në konflikt me ligjin, por ka rrethana dhe shkaqe të cilat, në një moment të caktuar, mund të krijojnë mjedisin që një i mitur të përfshihet. Patjetër që dhe grupet e organizuara mund të shfrytëzojnë moshën, faktin që të rinjtë janë më vulnerabël, që dënohen ndoshta në një mënyrë, pra, më restauruese”, tha Klaudia Hasanllari, Drejtoresha e QPKMR.
Në vitin 2025, numri i të miturve të përfshirë në vepra penale ishte 33, ndërsa në vitin 2024 u regjistruan 36 raste. Për shtatë muajt e parë të këtij viti janë evidentuar 12 të mitur, duke shënuar një rënie krahasuar me dy vitet e mëparshme.
“Të rinjtë janë të informuar kryesisht për të drejtat e tyre në proceset civile dhe penale, por ajo që ne duhet të vazhdojmë të punojmë është që ata të ndërgjegjësohen për pasojat e veprave penale”, tha ajo.
Rastet lidhen kryesisht me vepra penale të narkotikëve, dhunës, si dhe vepra kundër personit dhe pasurisë. Për specialistët, krahas trajtimit të rasteve, rëndësi të veçantë ka procesi i rehabilitimit dhe rikthimit të të miturve në shoqëri.
“Secila nga hallkat ka një rol të pazëvendësueshëm. Pra, nëse familja bën punën e saj, por ndikimi shoqëror ndikon negativisht te i mituri, jemi prapë në të njëjtat ujëra. Të gjithë bashkë duhet të koordinojnë për të pasur një përqasje sa më të mirë për fëmijën, sepse sot oborri dhe mjedisi i rritjes është ai virtual. Kjo e bën pak më të vështirë edhe për institucionet, edhe për familjet”, tha ajo.
Edukimi, mbështetja e familjes dhe puna e vazhdueshme me të miturit synojnë parandalimin e përsëritjes së veprave penale dhe krijimin e mundësive për një rikthim sa më të mirë në jetën normale.
Gazetare: Lusi Përgjegji
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




