Më pak zjarre në qarkun e Lezhës/Mbrojtja Civile, 28 raste gjatë qershorit dhe korrikut, gatishmëri maksimale
Pavarësisht valës së të nxehtit të kësaj vere, Qarku Lezhë është përballur me më pak zjarre krahasuar me vitet e mëparshme. Sipas të dhënave të Mbrojtjes Civile, gjatë muajve qershor dhe korrik janë regjistruar 28 raste zjarresh, kryesisht në zona pyjore, kullota dhe toka të papunuara.
Në tre raste është kërkuar ndërhyrja nga ajri me helikopter, ndërsa operacionet janë mbështetur edhe nga forcat e ushtrisë.
“Vlen të theksohet se gjatë muajit korrik jemi mbështetur në tre raste nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes. Nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile janë angazhuar mjete ajrore në një rast në Kurbin dhe në dy raste në Lezhë, përkatësisht në Shëngjin dhe në Grykën e Manatisë. Njëkohësisht, në Shëngjin, në lagjen Skot, në Ishull-Shëngjin, janë angazhuar edhe 46 efektivë të Forcave të Armatosura për fikjen e zjarrit”, u shpreh Nikoll Tushi, Përgjegjës i MC, Prefektura Lezhë.
Me vijimin e temperaturave të larta edhe gjatë muajit gusht, strukturat e Mbrojtjes Civile në të tre bashkitë e Qarkut ne fjale, Lezhë, Kurbin dhe Mirditë, vijojnë të jenë në gatishmëri të plotë.
Monitorimi i territorit mbetet i pandërprerë, ndërsa banorëve u kërkohet të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin veprimet që mund të shkaktojnë zjarre, veçanërisht në zonat pyjore dhe ato me bimësi të thatë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



