Më shumë kërkesa për fertilizimin in vitro- 22 bebe kanë ardhur në jetë, mjekët: Shkalla e suksesit është mbresëlënëse

Sociale | 3 muaj më parë

Shqipëria po përballet jo vetëm me rënie të lindshmërisë, por edhe me rritje të numrit të çifteve, të cilët kanë vështirësi në arritjen e një shtatzënie. Në dy vitet e fundit, në maternitetin “Koço Gliozheni”, kërkesat për shërbimin e riprodhimit të asistuar kanë shkuar mbi 500.

“Por jo të gjithë pacientët e interesuar për një procedurë të tillë mund ta përfitojnë, dhe kjo për shkak të protokolleve. Aktualisht, pa u mbyllur viti i dytë, ne kemi mbi 120 persona, të cilët janë nënshtruar procedurave të riprodhimit të asistuar”, tha Redi Hoxhallari – Zv/Drejtor Teknik S.U.O.GJ “Koço Gliozheni”.

Ata që kanë arritur të plotësojnë kushtet e fertilizimit in vitro dhe të përfitojnë nga ky program kanë marrë edhe rezultate shumë të mira. Në jetë kanë ardhur 22 bebe.

“Prej kohësh kemi pritur shumë bebe të realizuara nga këto procedura dhe jemi në pritje të bebeve të tjerë. Aktualisht, përqindja e suksesit të procedurave të riprodhimit të asistuar është 44%. Është një përqindje mbresëlënëse”, tha ai.

Zëvendësdrejtori i spitalit, Redi Hoxhallari thotë se, pavarësisht dëshirës së madhe për të përfituar nga ky shërbim, nuk mund të asistohen të gjitha rastet, por vetëm kandidatët që plotësojnë protokollet.

“Nga kriteret e protokollit është që një paciente me indeks të masës trupore mbi 30 nuk mund të bëhet pjesë e procedurës së riprodhimit të asistuar. Por ky është një kriter i modifikueshëm, që do të thotë se pacientja mban dietë, ul peshën e trupit, shkon në 29, 28, 25 dhe pastaj është e mirëpritur. Mosha është maksimumi 42 vjeç, pa disa javë. Pacientet me rezervë ovariale të ulët mbeten jashtë këtij protokolli”, nënvizoi ai.

Trajtimi i infertilitetit nuk ka pse të presë më. Në dy vite janë akorduar 50 milionë lekë të reja dhe fondi mund të rritet nëse do të ketë kërkesa.

Mjekët sqarojnë se çiftet e interesuara mjafton të klikojnë në faqen zyrtare të maternitetit “Koço Gliozheni” dhe të ndjekin me korrektësi hapat që duhen sipas sistemit të referimit.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme