Memorandumi i ri për SME-të dhe fermerët – Sejko: Kreditimi i bizneseve të vogla duhet të rritet

Ekonomi | 6 muaj më parë

Banka e Shqipërisë, së bashku me qeverinë dhe sistemin bankar, nënshkroi më 13 maj Memorandumin e Mirëkuptimit për “Nismën kombëtare për financimin e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, si dhe fermerëve”.

Ky memorandum synon lehtësimin e shkëmbimit të informacionit dhe opinioneve midis institucioneve publike dhe sektorit bankar, si një parakusht i nevojshëm për dizenjimin e instrumenteve të duhura për rritjen e aksesit në kredi të këtyre segmenteve të rëndësishme të ekonomisë shqiptare. 

Në fjalën e tij gjatë ceremonisë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë theksoi progresin e dukshëm të sektorit bankar në rritjen e kreditimit.

“Portofoli i kredisë për sektorin privat shënoi vlerën e 907 miliardë lekëve në fund të muajit mars 2026, nga 575 miliardë lekë të regjistruar vetëm pesë vite më parë. Kredia për sektorin privat ka shënuar një rritje mesatare vjetore prej rreth 15% gjatë dy viteve të fundit, ose afërsisht 107 miliardë lekë në vit, ndërkohë që kredia e re e dhënë gjatë vitit 2025 ishte rreth 423 miliardë lekë. Aktualisht, kredia bankare përbën një ndër flukset më të mëdha monetare në ekonomi dhe është – me diferencë – instrumenti kryesor i financimit të bizneseve dhe familjeve shqiptare.” 

Ai nënvizoi se ky progres pasqyron një përmirësim sasior dhe cilësor të ofertës së kredisë.

“Sistemi bankar tashmë është shndërruar në një partner gjithnjë e më të besuar të sektorit privat. Ai ofron jo vetëm instrumente të sigurta për ruajtjen e kursimeve të familjeve, por edhe instrumente moderne pagese dhe një ofertë gjithnjë e më të diversifikuar kredie. Ky progres është fryt i punës së Bankës së Shqipërisë për ruajtjen e stabilitetit monetar e financiar të vendit, reformave strukturore të ndërmarra dhe punës së industrisë bankare për rritjen e ndërmjetësimit financiar.” 

Guvernatori vuri në dukje se segmenti i ndërmarrjeve të vogla e të mesme ka ende akses të ulët në kredi.

“Segmenti i SME-ve përbën shtyllën kurrizore të ekonomisë shqiptare, duke gjeneruar pjesën dërrmuese të vlerës së shtuar dhe ofruar punësim për pjesën më të madhe të shoqërisë. Rritja e kredisë për këtë segment duhet konsideruar si një prioritet i rëndësishëm kombëtar. Një akses më i lartë në kredi i SME-ve do t’i hapte rrugë zgjerimit më të shpejtë të potencialeve prodhuese të vendit, rritjes më të shpejtë të produktivitetit total të ekonomisë dhe përmirësimit të mëtejshëm të mirëqenies së shoqërisë.” 

Ai kujtoi se Banka e Shqipërisë ka miratuar një program të posaçëm për biznesin e vogël dhe të mesëm.

“Prej më shumë se një viti, Banka e Shqipërisë ka vënë në zbatim një Program Financimi për Biznesin e Vogël dhe të Mesëm, i cili synon reduktimin e kostove të kredisë për këtë segment esencial të ekonomisë shqiptare. Paralelisht, Qeveria Shqiptare ka miratuar një Skemë Garancie sovrane, me qëllim uljen e rrezikut të kreditit për operatorët e sektorit bujqësor. Këto dy instrumente ofrojnë një pikënisje të mirë për adresimin e këtij problemi.” 

Guvernatori bëri thirrje për më shumë vëmendje ndaj financimit të SME-ve dhe sektorit agro, që sikurse ai theksoi, “ Ky sektor mbart potenciale të pashfrytëzuara për zgjerimin e industrisë bankare, duke kontribuar në zhvillimin afatgjatë të vendit dhe pa cenuar normat e prudencës. Nga ana tjetër, u drejtohem edhe bizneseve të vogla e të mesme, duke i inkurajuar që t’i afrohen bankave dhe t’i konsiderojnë ato jo vetëm si një burim të qëndrueshëm dhe me kosto të ulët financimi, por edhe si një konsulent të vlefshëm financiar dhe partner të besueshëm zhvillimi.” 

“Ky Memorandum Bashkëpunimi do të kontribuojë pozitivisht për hartimin e politikave më efikase në mbështetje të zhvillimit të qëndrueshëm dhe afatgjatë të vendit.” 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme