Minimumi jetik 200 euro i propozuar nga opozita, Malaj: I paplotë, nuk ka analizë të detajuar!

Ministri i Financave, Petrit Malaj hodhi poshtë si të paplotë një propozim të opozitës për caktimin e një minimumi jetik në vlerën 200 euro.
Duke iu përgjigjur interesit të deputetes së PD-së, Jorida Tabaku për propozimin për minimumin jetik në Komisionin për Ekonominë dhe Financat të Kuvendit, ministri Malaj tha se “propozimi i bërë është i paplotë”. “Nuk ka një analizë të detajuar për sa i përket përcaktimit të minimumit jetik, pra, pse ajo vlerë dhe jo një vlerë më e madhe” tha ai.
Deputetja Tabaku tha se “ka një propozim ligjor për minimumin jetik, i cili ka ardhur disa herë edhe kur është bërë prezantimi i projektbuxhetit. Ku ndodhemi me minimumin jetik dhe a ka ndonjë masë qeveria për pensionin minimal? Sa do të jetë pensioni minimal me këtë buxhet apo turi është vetëm çështje propagande meqenëse indeksimi i pensioneve nuk i kënaqi pensionistët?” pyeti ajo.
Deputeti i PS-së Erion Braçe i dha një drejtim tjetër debatit. “Nëse e bëjmë minimumin jetik 200 mijë lekë, a konsiderohet ndërhyrje në zgjedhje apo jo? Nëse ju nuk e konsideroni ndërhyrje në zgjedhje jemi në rregull, por nëse e konsideroni, është problem shumë i madh” tha ai.
Kreu i opozitës Sali Berisha ka deklaruar se nëse PD vjen në pushtet, minimumi jetik do të jetë 200 euro, paga minimale 500 euro, ndërsa pensionet do të dyfishohen.
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




