Ministrat nga tetë vende të BE-së letër Borrellit, i kërkojnë të kufizojnë lëvizjen e diplomatëve rusë

Botë | 2 vite më parë

Ministrat e Jashtëm nga tetë vende të Bashkimit Evropian i kanë dërguar një letër shefit të politikës së jashtme të BE-së, Xhosef Borel (o. Josep Borrell), duke i kërkuar të frenojë lëvizjen e diplomatëve rusë në zonën Shengen, me shqetësimin e tyre se lëvizja e lirë e diplomatëve lehtëson “veprimtaritë keqdashëse”.

Dërgimin e letrës e konfirmoi më 13 qershor në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ministri i Jashtëm çek, Jan Lipavsky ku tha se masa ishte e nevojshme sepse lëvizja e diplomatëve rusë dhe anëtarëve të familjeve të tyre në zonën Shengen “krijon infrastrukturën” për aktivitete të paligjshme.

Në letër thuhet se “inteligjenca, propaganda, apo edhe përgatitja e akteve të sabotimit janë ngarkesa kryesore e punës për një numër të madh “diplomatësh” rusë në BE”. Borrellit i bëhet thirrje që të propozojë urgjentisht masa kufizuese.

Lipavsky tha se lëvizja e diplomatëve rusë shtron bazën për kërcënime në hapësirën kibernetike dhe “sabotime dhe ndërhyrje” të tjera në mes të shqetësimit mbi përpjekjet e Moskës për të krijuar përçarje brenda BE-së. Ai tha se këto kërcënime hibride po rriteshin dhe Bashkimi Evropian duhet t’i tregojë Rusisë se kjo nuk do të tolerohet.

“Letra dërguar Borrell-it u nënshkrua nga nga Holanda, Danimarka, Estonia, Letonia, Lituania, Polonia dhe Rumania. Letra, që mban datën 11 qershor, kërkon një masë që “do të ngushtojë ndjeshëm hapësirën operacionale për agjentët rusë. Ne po u ofrojmë diplomatëve rusë…”mundësinë”për të udhëtuar…në gjithë Evropën. Nuk e kuptoj pse”, tha Lipavsky.

“Rusia kufizon udhëtimin e diplomatëve të BE-së, “kështu që ne duhet ta heqim këtë asimetri për hir të sigurisë sonë kombëtare”, shtoi ai. 

Vendet e BE-së kanë reduktuar në mënyrë dramatike numrin e diplomatëve rusë që lejohen të qëndrojnë në vendet e tyre, që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Moska është përgjigjur duke dëbuar diplomatë nga Rusia.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme