Ministri Demo: Aplikimet e para për Paketën e Maleve do të sjellin efekt “ortek”
Pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave këtë të premte, më 10 prill, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, doli në një konferencë për mediat ku prezantoi vendimet e miratuara.
Ai veçoi si më të rëndësishme ‘Paketën e Maleve’ dhe grantin prej 20 milionë eurosh të akorduar nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ministri theksoi se ky grant tashmë është formësuar dhe shumë shpejt do të krijohet një logjistikë e plotë me mjete të domosdoshme për bashkitë, me qëllim parandalimin e efekteve të ndryshimeve klimatike dhe përmirësimin e infrastrukturës rurale.
“Granti prej 20 milionë eurosh nga Emiratet e Bashkuara tanimë është formësuar dhe shumë shpejt një logjistikë e plotë me mjete, të cilat janë të domosdoshme për bashkitë, do të vihet në dispozicion për të parandaluar efektet e ndryshimeve klimatike por edhe për të përmirësuar infrastrukturën rurale,” tha Demo.
Ai shtoi se në mbledhjen e sotme janë përcaktuar zonat prioritare edhe në katër bashki të tjera, duke theksuar se “Paketa e Maleve vijon të jetë në fokus të qeverisë”.
Ministri paralajmëroi se ditët në vijim do të përfundojë afati për aplikimet e bashkive dhe se shumë prej tyre do të miratojnë projektet e para, duke krijuar sipas tij një efekt “ortek”, pasi bashkitë do të ndjekin njëra-tjetrën.
Në vijim, Demo prezantoi edhe programin kombëtar të parkimeve, i cili do të prekë kryesisht zonat urbane dhe bashkitë me fluks të lartë turistik.
“Është një program që do të evidentojë të gjitha kapacitetet që janë në territor për ndërtimin e parkimeve të reja. Këto mund të bëhen edhe në bashkëpunim me sektorin privat,” u shpreh ai. Ministri shtoi se ky program do të rrisë funksionalitetin e qyteteve dhe do të përmirësojë cilësinë e jetesës së qytetarëve, sidomos në zonat urbane.
Vendimet e miratuara pritet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e infrastrukturës, përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe forcimin e kapaciteteve të bashkive për t’u përballur me sfidat e ndryshimeve klimatike dhe rritjen e flukseve turistike.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



