Ministri Hasani në Dubrovnik: Ballkani Perëndimor, pjesë thelbësore e së ardhmes strategjike të Evropës

Politikë | 1 vit më parë

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, gjatë pjesëmarrjes së tij në Forumin e Dubrovnikut 2025, përcolli një mesazh të qartë: Ballkani Perëndimor nuk mund të trajtohet më si periferia e kontinentit, por është një pjesë thelbësore e së ardhmes strategjike të Evropës.

Në prani të përfaqësuesve të lartë nga rajoni, Evropa dhe më gjerë – përfshirë SHBA-në, Gjirin, Brazilin dhe Afrikën – ministri Hasani theksoi se në kohë pasigurie dhe rivalitetesh gjeopolitike, besimi, transparenca dhe transformimi nuk janë zgjedhje, por domosdoshmëri.

“Shqipëria nuk është një konsumatore e sigurisë, është kontribuese. Nuk presim, po ecim përpara,” theksoi Hasani, duke nënvizuar rolin aktiv të vendit në ruajtjen e stabilitetit rajonal.

Ministri shtjelloi më tej përparimin e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian, duke vënë në dukje se vendi ka hapur tashmë katër grup-kapituj negociues, përfshirë kapitujt themelorë dhe tregun e brendshëm. Ai ritheksoi se rruga drejt BE-së është strategjike, e pakthyeshme dhe e mbështetur në reforma të qëndrueshme.

Gjatë fjalës së tij, Hasani paralajmëroi se vonesat në procesin e zgjerimit krijojnë boshllëqe që shfrytëzohen lehtësisht nga aktorë autoritarë. Në këtë kontekst, ai mirëpriti Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor si një mundësi konkrete për të përshpejtuar integrimin.

“Evropa nuk do të jetë e plotë pa Ballkanin Perëndimor. Dhe Ballkani Perëndimor nuk do të jetë i plotë pa një vend të denjë në familjen evropiane,” përfundoi ministri Hasani, duke theksuar rëndësinë reciproke të integrimit.

  • /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme