Ministri i Brendshëm falënderon policët në pension: Sakrifica e tyre themel për integrimin europian

Aktualitet | 7 muaj më parë

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, zhvilloi sot një takim me disa punonjës policie në pension, duke shprehur mirënjohje për kontributin e tyre në ruajtjen e sigurisë dhe rendit publik në vend.

Në një reagim në faqen e tij në Facebook, Lamallari theksoi se këta punonjës kanë shërbyer me dekada dhe mbajnë mbi supe histori sakrifice, përkushtimi dhe profesionalizmi, duke merituar mirënjohjen më të thellë.

“Nuk ishte vetëm një falënderim për të shkuarën, por edhe një reflektim për rrugën që po ndërton Shqipëria sot drejt Bashkimit Evropian. Puna dhe përkushtimi i tyre ndër vite kanë vendosur themelet mbi të cilat ne sot vijojmë të ndërtojmë institucione më të forta, më të besueshme dhe më pranë standardeve europiane,” u shpreh ministri.

Lamallari nënvizoi se Shqipëria është në një proces real dhe të pandalshëm drejt integrimit në Bashkimin Europian, ku negociatat vijojnë, reformat po japin rezultate dhe progresi po vlerësohet çdo ditë.

“Ky është një rrugëtim që kërkon stabilitet, seriozitet dhe institucione të forta, vlera që këta profesionistë i kanë mishëruar gjatë gjithë karrierës së tyre. Mirënjohje për gjithçka keni dhënë. Trashëgimia juaj vijon të jetojë në çdo hap që Shqipëria hedh drejt Europës,” përfundoi Lamallari.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme