Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araqchi udhëton drejt Nju Jorkut mes tensioneve me SHBA, Trump lë të hapur mundësinë e një takimi me Pezeshkian

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, u nis të dielën në mbrëmje nga Teherani drejt Nju Jorkut për të marrë pjesë në sesionin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Para mbërritjes në SHBA, ai pritet të ndalet shkurtimisht në Doha, kryeqytetin e Katarit, sipas agjencisë iraniane Tasnim.
Ky udhëtim vjen në një moment të tensionuar në marrëdhëniet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.
Presidenti amerikan Donald Trump ka intensifikuar retorikën ndaj Teheranit, duke paralajmëruar se “diçka e madhe mund të ndodhë shumë shpejt me Iranin”.
Në një intervistë për “Fox News”, ai tha se ndodhet në një “pozitë vendimmarrëse” dhe se opsionet përfshijnë vazhdimin e presionit ekonomik, arritjen e një marrëveshjeje, ose përballjen me pasoja të rënda nëse Irani nuk pranon kushtet.
Megjithatë, Trump shtoi se do të ishte i hapur për një takim me presidentin iranian Masoud Pezeshkian gjatë punimeve të OKB-së në Nju Jork.
Nga ana iraniane, Pezeshkian ka lënë të hapur mundësinë e negociatave, por e ka kushtëzuar rifillimin e dialogut me kthimin e SHBA-së në angazhimet e marrëveshjes së përkohshme të qershorit.
Ai ka theksuar se “lufta nuk është në interesin e askujt” dhe se Teherani mbetet i gatshëm për një zgjidhje të negociuar, nëse Uashingtoni respekton detyrimet e tij.
Ndërkohë, forcat iraniane kanë paralajmëruar për mundësinë e rifillimit të luftës dhe nisjes së sulmeve në territorin iranian. Komanda e Bashkuar e Forcave të Armatosura deklaroi se ka marrë informacione mbi përgatitjet amerikane për operacione luftarake. Kushtet e Iranit për rikthimin në negociata përfshijnë lirimin e aseteve të ngrira, heqjen e bllokadës detare dhe përfundimin e luftës në të gjitha frontet.
Doha po luan rolin e ndërmjetësit, duke përcjellë mesazhet e Teheranit drejt Uashingtonit. Pavarësisht tensioneve, SHBA ka lejuar hyrjen e delegacionit iranian në territorin e saj për pjesëmarrjen në takimet e OKB-së, një hap që shihet si sinjal i mundësisë për rifillim të dialogut.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



