Ministri i Mbrojtjes i Lituanisë: NATO duhet të përgjigjet ndaj sulmeve hibride ruse

Ministri i Mbrojtjes i Lituanisë, Robertas Kaunas, ka deklaruar se Aleanca Atlantike duhet të gjejë një përgjigje të përshtatshme ndaj kërcënimeve që paraqet Rusia përmes sulmeve hibride.
“Tani për tani po përballemi me problemin se Rusia nuk do të ndryshojë. Kjo do të thotë që, si organizatë, NATO duhet të jetë në gjendje t’i adresojë kërcënimet në të ashtuquajturën zonë gri me të cilën përballemi sot dhe t’u përgjigjet atyre me një përgjigje përkatëse,” tha Kaunas të mërkurën, sipas mediave lituaneze.
Deklaratat e tij erdhën pas sulmit të dështuar me dron të ngarkuar me eksploziv në aeroportin e Leipzigut, për të cilin qeveria gjermane akuzon Rusinë.
I pyetur pse NATO nuk e thirri Nenin 4 të Traktatit, Kaunas theksoi se Gjermania e kishte karakterizuar qartë Rusinë si agresore. Neni 4 parashikon konsultime midis aleatëve kur një shtet anëtar deklaron se përballet me kërcënim të jashtëm.
Qeveria në Vilnius ka shprehur më parë solidaritetin e saj të pakushtëzuar me Gjermaninë, duke nënvizuar nevojën për unitet brenda Aleancës përballë kërcënimeve të vazhdueshme hibride.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




