Ministri Karakaçi inspekton punimet për ujësjellësin e Elbasanit: Përmirësim i ndjeshëm i furnizimit 24 orë

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, inspektoi sot punimet e realizuara në ujësjellësin e qytetit të Elbasanit, një projekt i rëndësishëm i financuar nga Banka Gjermane KfW me vlerë rreth 13 milionë euro.
Ministri Karakaçi deklaroi se ndërhyrjet përfshijnë rehabilitimin e dy depove ekzistuese me kapacitet 2000 m³ secila, si dhe ndërtimin e një depoje të re me të njëjtin kapacitet, të ndarë në dy seksione. Përmes sistemit modern SCADA, tashmë realizohet monitorimi i rrjetit dhe stacioneve të pompimit, duke mundësuar kontroll më të mirë dhe ulje të humbjeve.
Ai tha se ky investim ka sjellë furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm për rreth 60% të popullsisë së qytetit, duke përmirësuar ndjeshëm cilësinë dhe sasinë e ujit.
“Ky investim ka siguruar furnizim 24 orë për pjesën më të madhe të qytetit, ndërsa faza e radhës synon mbulimin 100% të popullsisë së Elbasanit me ujë të pijshëm,” u shpreh ministri Karakaçi, duke theksuar se projektet e ardhshme do të fokusohen në rritjen e eficensës energjetike dhe përmirësimin e mëtejshëm të shërbimit.
Një tjetër arritje e rëndësishme është përmirësimi i performancës financiare të ndërmarrjes së ujësjellësit.
“Këtu jemi në një investim në kuadër të një financimi nga Banka Gjermane, përsa i përket qytetit të Elbasanit, dhe disa depove që po bëhen këtu dhe një pjesë e tyre ka përfunduar tashmë.”, tha ministri Karakaçi.
Sipas ministrit, niveli i arkëtimeve ka arritur mbi 105%, duke përfshirë edhe detyrimet e prapambetura, ndërsa ujësjellësi mbulon tashmë 100% të kostove të energjisë elektrike.
Kjo tregon se reforma në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve dhe bashkimi i shoqërive ka dhënë rezultate konkrete.
Investimet e reja, të parashikuara edhe në buxhetin e vitit 2026, do të përqendrohen në zgjerimin e rrjetit të kanalizimeve dhe automatizimin e mëtejshëm të sistemit, duke garantuar një shërbim më cilësor e të qëndrueshëm për qytetarët e Elbasanit.
“Shifrat e ujësjellësit të Elbasanit janë impresionuese, tashmë me një nivel arkëtimi mbi 100%, pra jemi në nivelin mbi 105%, pra jo vetëm që mbledhim detyrimet aktuale të ujësjellësit, por mbledhim edhe debinë e viteve të shkuara, që patjetër ne e dimë që problematikë e theksuar ka qenë pjesa e pagesave të ujësjellësit. Dhe po ashtu, element tjetër i rëndësishëm është që jep frytet e veta dhe tashmë edhe ujësjellësi i Elbasanit paguan 100 të të gjitha faturave të energjisë elektrike, të cilat edhe në vitet e shkuara konsiderohen me shumë probleme dhe pikërisht duke bërë të gjitha këto investime, kemi mundësi të bëjmë edhe investime në rrjet edhe në kanalizime të reja.”, deklaroi ministri gjatë kësaj vizite.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



