Ministria e Arsimit: Regjistrimet për programin “Pas Shkolle” të hapura deri më 25 shtator përmes sistemit SMIP

Arsim | 45 minuta më parë

Regjistrimet për programin “Pas Shkolle” janë të hapura deri më 25 shtator, ndërsa prindërit mund të regjistrojnë fëmijët e tyre përmes sistemit SMIP.

Ministria e Arsimit informoi sot se në kuadër të programit, çdo fëmijë mund të përfshihet në deri në dy klube, duke zgjedhur ndërmjet aktiviteteve të muzikës, kërcimit, teatrit, artit pamor dhe zejeve.

Këto aktivitete synojnë të plotësojnë përvojën e fëmijëve në shkollë, krahas detyrave të shtëpisë, duke u krijuar mundësi të angazhohen në veprimtari krijuese dhe të zhvillojnë aftësi të reja.

Programi “Pas Shkolle” synon t’u ofrojë nxënësve një mjedis ku ata mund të shprehin interesat dhe talentet e tyre përmes artit, kulturës dhe aktiviteteve praktike.

Për herë të parë këtë vit shkollor 408 shkolla në mbarë vendin janë pjesë e programit “Pas shkolle”, duke u krijuar nxënësve mundësi për të mësuar, argëtuar dhe zhvilluar talentet e tyre në një mjedis socializimi dhe edukimi.

Përmes këtyre aktiviteteve synohet që nxënësit të kenë akses në orë cilësore pas mësimit, të zhvillojnë potencialin dhe aftësitë e tyre, si dhe të krijojnë më shumë mundësi për socializim.

Sa i përket orareve, fëmijët e klasave të para dhe të dyta që mbarojnë mësimin në 11:30 do të qëndrojnë në shkollë deri në orën 14:00, ndërsa ata që përfundojnë në orën 12:30 ose 13:10 do të mund të qëndrojnë deri në orën 15:00.a

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme