Miratohet akti normativ për uljen e akcizës me 20% për naftën dhe benzinën

Ekonomi | 7 muaj më parë

Ministri i Financave, Petrit Malaj, njoftoi miratimin e Aktit Normativ për uljen e akcizës, një masë konkrete e ndërmarrë nga qeveria shqiptare për të zbutur efektet e rritjes së çmimeve të karburanteve si pasojë e konfliktit në Iran dhe luhatjeve ndërkombëtare të tregut.

Ky akt normativ parashikon uljen e akcizës me 20%, në rast se çmimi i shitjes me pakicë, i përcaktuar nga Bordi i Transparencës, do të jetë: mbi 220 lekë për litër për naftën; mbi 200 lekë për litër për benzinën.

Masat do të jenë në fuqi deri në stabilizimin e situatës ndërkombëtare, duke siguruar mbrojtjen e qytetarëve, buxhetit të shtetit dhe ekonomisë kombëtare në këtë periudhë kritike.

“Ne jemi të angazhuar plotësisht që t’i përgjigjemi me përgjegjshmëri çdo sfide, duke mbrojtur qytetarët shqiptarë nga efektet financiare të prodhuara si rezultat i këtij konflikti, por edhe të mbrojmë buxhetin e shtetit dhe ekonominë e vendit tonë, sidomos në një moment kritik si ky që po përballet bota sot”, tha Malaj.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme