Misioni Artemis II në fazën përfundimtare, anija hapësinore me ndodhet tashmë nën ndikimin gravitacional të Hënës

Astronautët e misionit Artemis II kanë hyrë në fazën përfundimtare të udhëtimit të tyre drejt Hënës, duke hyrë në orën 6:42 të këtij mëngjesi në fushën e ndikimit gravitacional të satelitit natyror të tokës dhe rreth 63 mijë kilometra larg tij.
Kapsula Orion në bord të së cilës ndodhen, do t’i çojë ata në distancën më të largët nga planeti mëmë se sa ndonjë qenie tjetër njerëzore. Ndërsa gjatë këtyre ditëve kanë patur kontakte me kontrollin e misionit në Hjuston të Teksasit, këto kontakte pritet të ndërpriten.
Kur astronautët të ndodhen pas hënës rreth kësaj mesnate, sinjalet që iu mundësojnë komunikimin me tokën do të bllokohen nga vetë ai trup qiellor. Për 40 minuta, katër astronautët do të jenë vetëm, secili me mendimet dhe ndjenjat e tyre, duke udhëtuar nëpër errësirën e hapësirës.
Një moment i thellë vetmie dhe heshtjeje. Më shumë se 50 vite më parë, astronautët e programit hapësinor Apollo përjetuan edhe ata izolimin nga ndërprerja e sinjalit gjatë misioneve në Hënë. Ndoshta askush nuk i përjetoi më shumë se Michael Collins i Apollo 11. Në 1969-ën, kur Nil Armstrong dhe Buzz Aldrin hynë në histori duke u bërë të parët që ecën në sipërfaqen e hënës, Collins ishte vetëm në modulin e komandës, duke lëvizur rreth saj. Kontakti me Armstrong dhe Aldrin si dhe me Hjustonin u ndërpre për 48 minuta. Këtë përvojë, Collins e përshkroi në librin e tij me kujtime të 1974-ës, ku shkroi se ishte ndjerë me të vërtetë I izoluar nga çdo formë e njohur jete, por në asnjë moment nuk kishte ndjerë frikë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



