Mistri gjerman Roth në Tiranë! Rama: Data e konferencës ndërqeveritare, çështje e brendshme e BE

Politikë | 5 vite më parë

Ministri gjerman për Evropën, Michael Roth, ka mbërritur sot në Tiranë, për një vizitë 2-ditore, ku në takime të ndryshme do te diskutohet ecuria e procesit të integrimit dhe çështja e hapjes së negociatave të Shqipërisë me BE-në. Zoti Roth është takuar me Kryeministrin Edi Rama, me të cilin ka dalë në një konferencë për shtyp nga Kryeministria.

Zoti Roth vjen në Shqipëri, pasi ishte për vizitë dy ditore në Maqedoninë e Veriut. Ministri shtetëror gjerman për Evropën Michael Roth, para arritjes në Shkup, tha se është koha e fundit që Bashkimi Evropian t’i përmbushë premtimet e tij për fillimin e  negociatave për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

“Ardhmëria e Ballkanit Perëndimor është evropiane, tani duhet të veprojmë vendosmërisht që të mos ketë asnjë dyshim për këtë ardhmëri”, shkroi në Twiter, Michael Roth.

Kryeministri Edi Rama, në konferencën për shtyp me Ministrin Gjerman për Evropën, Michael Roth, tha se Shqipëria i ka kryer të gjitha detyrat dhe se anëtarësimi tashmë është thjeshtë çështje e brendshme  e Këshillit Evropian.

“Kjo vizitë përkon me një kohë jo të parëndësishme, në prag të një tjetër takimi të Këshillit Evropian, për një vendimarrje të rëndësishme, lidhur me Shqipërinë dhe Maqedonine e Veriut. Më vjen mirë që sot nuk janë vetëm ata që e thoshin dhe dje, por të gjithë, që Shqipëria i ka kryer të gjitha detyrat e veta. Miratimi i kornizës negociuese, bazuar në vendimin e  marrë për çeljen e negociatave dhe mbajtja e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, është thjeshtë çështje  e brendshme e Këshillit Evropian, në një moment kur së brendshmi BE ndeshet me një surprizë të radhës nga bota ballkanik dhe përreth, që lidhet me ngërçin e krijuar mes M.V dhe Bullgarisë. Unë nuk mundet, veçse të përsërisja të njëjtën gjë që them me bindje dhe fakte, sipas nesh, që duhet të hapim menjëherë procesin, dhe BE duhet të zbatojë vendimin që ka marrë duke miratuar kornizën negociuese dhe duke thirrur Konferencën e Parë Ndërqeveritare. A do të ndodhë apo jo? Ne nuk e dimë. Kjo do varet në atë se sa do zgjidhet ngërçi mes M.V dhe Bullgarisë dhe sa Bullgaria do të jetë e gatshme të heqë barrikadën që i ka vënë këtij procesi. Sidoqoftë, ne kemi një mbështetje të zëshme dhe të përgjithshme për të ecur më tutje”, tha Rama.

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme