“Mokra n’Fest”- Edicioni i shtatë, tradita dhe kultura bashkuan banorë e vizitorë

Kulturë | 3 muaj më parë

Tradita, historia dhe shijet e Mokrës u bashkuan në edicionin e shtatë të “Mokra në Festë”, zhvilluar pranë urës së gurit në Golikë.

Festa mblodhi banorë të zonës, vizitorë dhe emigrantë të kthyer në vendlindje. Panair artizanal dhe gatimet tradicionale sollën në vëmendje produktet e zonës, mes tyre kulaçin në saç, lakrorin, djathin dhe gjalpin, të përgatitura sipas traditës së trashëguar ndër breza.

Pjesë e festës ishin edhe mjete të vjetra të përdorura dikur në familjet mokrare, mes tyre një mulli guri për bluarjen e grurit, që sipas banorëve është ruajtur ndër breza dhe daton prej qindra vitesh.

“Mokra në Festë” shërbeu edhe si një pikë takimi për mokrarët e ardhur nga vende të ndryshme të botës, duke bashkuar komunitetin rreth traditave të përbashkëta.

Kryetari i Bashkisë Pogradec, Ilir Xhakolli, vlerësoi rëndësinë e zhvillimit të zonës dhe foli për investimet e kryera dhe projektet e parashikuara për përmirësimin e infrastrukturës.

“Kam dëshirë që edhe Mokra të zhvillohet ashtu si zonat e tjera. Në zonën e Propishtit kemi bërë disa investime të rëndësishme. Pritet të bëhen dhe dy-tre investime”, tha ai.

Programi artistik me këngë, valle dhe ansamble folklorike, së bashku me aktivitetet sportive në Shkumbin, plotësuan atmosferën e edicionit të shtatë të “Mokra në Festë”.

Gazetare Elsa Xhindole

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme