Monumentet e Shkodrës do restaurohen. Trashëgimia kulturore, prioritet i sezonit veror

Kulturë | 1 vit më parë

Restaurimi i urës së vjetër mbi lumin Buna dhe i Kishës së Drishtit janë dy projektet më të afërta që do të nisin zbatimin në Shkodër nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore (DRTK). Në kuadër të projektit për sistemimin e hyrjes së qytetit të Shkodrës, punimet për restaurimin e urës pritet të nisin javën e ardhshme, bën të ditur drejtoresha e DRTK Shkodër, Amila Gjyrezi.

“Projekte të miratuara janë: Ura e Bunës, ura e vjetër në kontekstin edhe të punimeve që po bëhen në hyrjen e qytetit; restaurimi i Kishës së Kabashit në Pukë; restaurimi dhe mirëmbajtja e Kishës Trikonshe në Kalanë e Drishtit; mirëmbajtja dhe restaurimi i banesë së Sali Manit në Bujan; restaurimi dhe konservimi i plotë i objektit shkolla-muze Migjeni në Pukë,” tregon znj. Gjyrezi.

Gjatë sezonit veror, mirëmbajtja dhe promovimi i parqeve arkeologjike në Shkodër dhe Lezhë janë në fokusin kryesor të punës së institucionit. Sipas të dhënave zyrtare, numri i vizitorëve në Parkun Arkeologjik të Shkodrës ka shënuar një rritje me 20% gjatë pesë muajve të parë të vitit krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

“Që nga 1 janar kemi rreth 70 mijë vizitorë në parkun arkeologjik të Shkodrës të Kalasë Rozafa. Është një nga sitet më të vizituara në Shqipëri, por edhe në gjithë Ballkanin,” thotë drejtuesja e DRTK-së Shkodër.

Përfundimi i restaurimit të dy objekteve të rëndësishme të trashëgimisë kulturore, Xhamisë së Plumbit dhe kompleksit “Gjurmë Fishtiane”, si dhe ndërhyrjet në objekte të tjera monumente kulture, pritet të sjellin një rritje të ndjeshme të interesit turistik dhe kulturor në Shkodër.

Gazetar: Adrian Hoti

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme