Moscertifikimi i Listës Serbe, ambasada gjermane: Dëmton Kosovën. Kurti: Çështje e KQZ

Kosovë | 11 muaj më parë

Moscertifikimi i kandidatëve të Listës Serbe për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka shkaktuar reagimin e ambasadës gjermane në Prishtinë e cila ka kritikuar veprimet e disa anëtarëve të KQZ-së, duke theksuar se proceset zgjedhore duhet të jenë të çliruara nga ndikimet politike.

“Sjellja penguese e disa anëtarëve të KQZ-së që refuzojnë të certifikojnë Srpska Listën dhe kandidatët e saj, është e pafavorshme për reputacionin ndërkombëtar të Kosovës dhe rrugëtimin e saj drejt integrimit evropian”, thuhet në reagimin e Ambasadës gjermane, raporton RTK.

Më tej, ajo kujton se procesi zgjedhor duhet të trajtohet në mënyrë profesionale dhe neutrale, pa manovrime politike.

Edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti i pyetur për reagimet e Gjermanisë, shoqërisë civile dhe më herët të Ambasadës së SHBA-së, nuk dha koment të drejtpërdrejtë, duke e distancuar veten nga vendimi.

“Ajo është çështje e KQZ-së, ajo është çështje e ambasadës amerikane. Unë jam kryeministër i Republikës së Kosovës”, tha Kurti pas ceremonisë së vendosjes së gurthemelit të tribunës lindore në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.

Ambasada e SHBA-së në Kosovë reagoi më herët ndaj moscertifikimit të Listës Serbe, duke e quajtur qasjen e përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ si “të ngushtë në vizion dhe përçarëse”.

“Të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të jenë në gjendje t’i ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike. Veprime të tilla e cenojnë stabilitetin e Kosovës dhe interesat e SHBA-ve”, thuhet në reagimin e Ambasadës amerikane, e cila kujtoi se kjo sjellje mund të ndikojë negativisht edhe në rifillimin e dialogut strategjik Kosovë–SHBA, i rëndësishëm për bashkëpunimin ekonomik dhe politik.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme