Moska refuzon takimin Zelensky-Putin, përfundojnë pa përparim bisedimet në Stamboll

Europë | 1 vit më parë

Kërkesa e Ukrainës gjatë raundit të fundit të bisedimeve në Stamboll me Rusinë për një takim midis Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelensky para fundit të gushtit nuk u pranua.

Bisedimet e fundit mes delegacioneve të Ukrainës dhe Rusisë në Stamboll përfunduan pa ndonjë marrëveshje konkrete, teksa Moska refuzoi një propozim të Kievit.

Takimi zgjati vetëm 40 minuta dhe u zhvillua në një klimë të tensionuar, pak ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump i dha Moskës një afat 50-ditor për të arritur një marrëveshje paqeje, përndryshe do të përballej me sanksione të reja të ashpra.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e minimizoi rëndësinë e takimit, duke theksuar se qëndrimet mes dy palëve janë ende “diametralisht të kundërta” dhe se nuk priten zhvillime të mëdha.

Peskov konfirmoi se delegacioni rus, i kryesuar nga Vladimir Medinsky, nuk kishte ndryshuar nga raundet e mëparshme. Ndërsa Ukrainën e përfaqësoi Rustem Umerov, ish-ministri i Mbrojtjes.

Kievi kishte shpresuar që një takim ballë për ballë mes Zelenskyt dhe Putinit mund të ndihmonte në ndaljen e luftës, por Kremlini refuzoi kategorikisht.

Ndërkohë, Rusia vazhdon ofensivën në lindje të Ukrainës, ndërsa sulmet me dronë dhe raketa kanë goditur qytete të ndryshme.

Shifrat e viktimave ruse kanë arritur nivele alarmante, me mbi 1 milion të vrarë apo të plagosur që nga fillimi i luftës, sipas një raporti të fundit të Ministrisë britanike të Mbrojtjes dhe Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në SHBA.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme