Moska: Ukraina sulm me dronë gjatë natës, mbyllëm 4 aeroporte

Botë | 1 vit më parë

Rusia pretendon se Ukraina ka nisur sulmet me dron ndaj Moskës, duke e detyruar atë të mbyllë për disa orë katër nga aeroportet kryesore të kryeqytetit.

Kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobyanin, tha në mediat sociale se të paktën 19 dronë ukrainas ishin shkatërruar para se të arrinin në qytet “nga drejtime të ndryshme”. Ai tha se disa nga mbeturinat kishin rënë në njërën nga autostradat kryesore që të çojnë në qytet, por nuk pati viktima.

Ukraina nuk ka komentuar ende. Por kryebashkiaku i Kharkiv tha se Rusia kishte kryer gjithashtu sulme me dronë në qytet gjatë natës, si dhe në zonën e Kievit.

Guvernatori i rajonit të Odesës në Ukrainë, Oleh Kiper, bëri me dije se një person u vra gjatë një sulmi me dron.

Është nata e dytë radhazi që Rusia ka raportuar një sulm me dronë nga Ukraina – të hënën, ministria e mbrojtjes e Rusisë tha se kishte shkatërruar 26 dronë ukrainas gjatë natës.

Përveç Moskës, guvernatorët e qyteteve të tjera ruse, përfshirë Penzën dhe Voronezhin, thanë gjithashtu se ishin shënjestruar nga dronë gjatë natës.

Që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia më shumë se tre vjet më parë, Kievi ka nisur disa sulme me dronë ndaj Moskës. Sulmi i tij më i madh në mars u mori jetën tre personave.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme