NATO: KFOR do të vazhdojë të garantojë sigurinë dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë

Këshilli i Atlantikut të Veriut u mblodh sot në formatin KFOR, së bashku me partnerët që kontribuojnë me trupa, për një diskutim me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin Özkan Ulutaş.
Në raportimin e tij të fundit para Këshillit, ku mori pjesë virtualisht, komandanti Ulutaş dha një përditësim mbi përpjekjet e vazhdueshme të KFOR-it për të ndihmuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët e Kosovës, si dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes.
Këto përpjekje zhvillohen në kuadër të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si përgjegjës primarë për reagimin në fushën e sigurisë.
Komandanti ndau gjithashtu vlerësimet e tij mbi procesin e vazhdueshëm të optimizimit të pranisë së KFOR-it, i cili vjen si rezultat i përmirësimit të vazhdueshëm të situatës së sigurisë në vend. Ky proces synon të sigurojë që misioni të mbetet i përshtatshëm për qëllimin e tij, bazohet në kushtet në terren, zbatohet gradualisht dhe është plotësisht i kthyeshëm në rast se zhvillimet e sigurisë e kërkojnë një gjë të tillë.
NATO thekson se KFOR-i do të mbetet i pajisur, i trajnuar dhe i organizuar në mënyrë adekuate për të zbatuar mandatin e tij afatgjatë të OKB-së. Misioni do të ruajë kapacitetet, gatishmërinë dhe fleksibilitetin e nevojshëm për të përballuar një gamë të gjerë skenarësh të mundshëm të sigurisë.
“Ballkani Perëndimor është një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën. Angazhimi i NATO-s për të mbështetur sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin rajonal mbetet i palëkundur. NATO gjithashtu vazhdon të mbështesë fuqishëm Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, si kornizë për zgjidhjen e çështjeve të mbetura, duke respektuar të drejtat e të gjitha komuniteteve”, thuhet në komunikatën e Aleancës.
Gjeneralmajori Özkan Ulutaş pritet të përfundojë mandatin e tij të dytë në krye të KFOR-it në mesin e muajit tetor. Atë do ta pasojë gjeneralmajori Roberto Vergori nga Italia.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




