NATO njeh Shqipërinë për “Vlefshmërinë Ajrore”, Ethemaj: Integrim i plotë në aleancë, të ruhen standardet e arritura

Aktualitet | 1 vit më parë

Autoriteti i Aviacionit Civil Shqiptar ka arritur një hap të rëndësishëm drejt forcimit të sigurisë dhe mbështetjes ndërkombëtare në sektorin e aviacionit. Pas një procesi të gjatë vlerësimi dhe përpjekjesh për përputhje me standardet ndërkombëtare, Shqipëria është njohur zyrtarisht nga NATO-ja për “Vlefshmërinë Ajrore”, duke dëshmuar përmbushjen e kërkesave të sigurisë aleate. Kjo njohje, e vlefshme për katër vjet, përfaqëson një moment historik për vendin tonë, duke hapur rrugën për bashkëpunim më të ngushtë me aleancën dhe përmirësimin e kapaciteteve të sektorit të aviacionit në Shqipëri.

Kreu i Autoritetit të Aviacionit Civil Shqiptar, Maksim Ethemaj, i ftuar në “Mirëmëngjes Shqipëri” deklaroi se përfitimi i drejtpërdrejtë është i vetë aleancës, pasi ka në dispozicion asetet njerëzore, ndërsa Shqipëria nga ana e saj përfiton prej integrimit total në NATO.

Pas marrjes së certifikatës, Ethemaj thekson se Shqipëria ka për detyrim akomodimin e kërkesave të NATO-s për stërvitje, suport logjistik dhe akses pa vonesë në vendet e krizave.

“Vlefshmëria ajrore është fluturim i sigurt i avionit. Që të realizohet kjo duhen përmbushur tre elementë: avioni e pjesët e tij të plotësojnë standardet teknike dhe kërkesat e sigurisë, avioni duhet mirëmbajtur në përputhje me standardet, dhe duhet leje nga Autoriteti i Aviacionit për të fluturuar.

Kjo është arritje e paparë më parë. NATO-ja është organizatë ushtarake. Aviacioni civil tashmë njihet edhe për detyra ushtarake.

NATO-ja thotë: ju jeni kompetentë mjaftueshëm për të bërë detyrat në lidhje me avionët e NATO-s. Përfitimi i NATO-s është te burime njerëzore për misionet e veta. Shqipëria ka përfitim që është pjesë e integruar e strukturave të NATO-s, kontribuon për rritjen e sigurisë në organizatë, fiton eksperiencë për t’u bërë më të mirë sesa jemi sot”, deklaroi ai.

Ethemaj theksoi se njohja e “Vlefshmërisë Ajrore” nga NATO-ja bazohet plotësisht në meritë. Ai sqaroi se për marrjen e certifikatës është bërë një punë e madhe nga ana e Shqipërisë, e cila ka konsistuar në ndryshimet ligjore, ngritjen e një strukture të qëndrueshme të organizatës, program trajnimi gjithëpërfshirës, dhe rekrutim e trajnim të stafit kompetent.

“Këto katër elemente u bënë subjekt i një auditi nga NATO-ja që nisi në muajin maj dhe u konkludua një javë më parë, kur morëm raportin që Shqipëria vepron në përputhje të plotë me kërkesat e NATO-s për vlefshmërinë ajrore. Vlefshmëria është 4-vjeçare duke siguruar që mbahet ky standard i arritur deri tani”, përfundoi ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme