Ndahet nga jeta Kryepeshkopi i Shqipërisë, Anastasi

Aktualitet | 2 vite më parë

Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos, i njohur për kontributin e tij në ringritjen e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë prej më shumë se 30 vitesh më parë, u nda nga jeta në moshën 95-vjeçare.

Kleriku i lartë ndërroi jetë të shtunën (25 janar), në repartin e reanimacionit në spitalin “Evangelismos” në Athinë, ku kurohej prej 3 janarit pas një hemorragie të brendshme.

Kryepeshkopi Anastas mbeti një figurë kyçe e Kishës Orthodhokse dhe një lider i njohur ndërkombëtarisht, duke u angazhuar për rinovimin e kishave dhe institucioneve fetare pas rënies së regjimit ateist në Shqipëri. Ai udhëhoqi një periudhë të rëndësishme për Kishën shqiptare, ku realizoi projekte madhore si ndërtimi dhe restaurimi i qindra kishave, themelimi i shkollave dhe qendrave rinore, dhe zhvillimi i institucioneve të edukimit teologjik.

Një nga arritjet më të mëdha të tij ishte Katedralja “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, një prej kishave më të mëdha ortodokse në Evropë, e cila u inaugurua në vitin 2012. Gjatë udhëheqjes së tij, Kisha Orthodhokse Shqiptare fitoi njohje ndërkombëtare, duke kontribuar në bashkëjetesën paqësore dhe dialogun ndërfetar, si dhe duke pasur një rol të rëndësishëm në afrimin e Shqipërisë dhe Greqisë.

Kryepeshkopi Anastas ishte vazhdimisht në pozita të rëndësishme në organizata të tilla si Komiteti për Misionin dhe Ungjillëzimin Botëror dhe Këshilli Botëror i Kishave, ku kontribuoi në forcimin e bashkëpunimit midis kishave dhe promovimin e paqes dhe bashkëjetesës ndërmjet popujve dhe feve të ndryshme.

Gjatë karrierës së tij, Kryepeshkopi Anastas ishte autor i 24 librave dhe mbi 200 artikujve, që trajtonin tema të thella teologjike dhe historike, duke e bërë atë një nga studiuesit më të njohur në fushën e dialogut ndërfetar. Ai shkroi dhe hulumtoi mbi një gamë të gjerë temash, përfshirë studimin e feve afrikane, Islamin, globalizmin dhe historinë e misioneve, me artikuj dhe libra të tij që janë përkthyer në 17 gjuhë të huaja.

Përveç kontributit të tij intelektual, Kryepeshkopi Anastas mori shumë çmime dhe nderime ndërkombëtare, përfshirë “Kryqin e Madh të Urdhrit të Nderit të Republikës së Greqisë” dhe çmimin “Athenagora për të Drejtat e Njeriut”, duke pasqyruar respektin dhe vlerësimin për angazhimin e tij në promovimin e të drejtave të njeriut, bashkëjetesës dhe paqes.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme