Ndahet nga jeta operatori i filmit Faruk Basha, AQSHF: Humbëm pionierin e efekteve speciale në kinematografinë shqiptare

Kulturë | 3 muaj më parë

Kinematografia shqiptare ka humbur një nga emrat e saj të njohur. Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit (AQSHF), përmes një njoftimi zyrtar në rrjetet sociale, bëri të ditur se është ndarë nga jeta operatori i filmit Faruk Basha, një nga profesionistët e përkushtuar të artit të imazhit në vend.

Mjeshtri i efekteve speciale dhe kontributi në filmin shqiptar

Përmes mesazhit të tij të hidhërimit, AQSHF nënvizoi rolin e rëndësishëm që Basha ka luajtur gjatë karrierës së tij shumëvjeçare në pasurimin e gjuhës filmike dhe zhvillimin e teknikave të xhirimit në Shqipëri.

Ai vlerësohet në mënyrë të veçantë për inovacionin që solli në realizimin e produksioneve kinematografike të kohës.

“Gjatë karrierës së tij shumëvjeçare, Faruk Basha dha një kontribut të çmuar në realizimin e filmave shqiptarë, duke u shquar për profesionalizmin, përkushtimin dhe pasionin ndaj artit të imazhit. Ai ishte ndër pionierët që zhvilluan dhe përsosën teknikat e efekteve speciale në kinemanë shqiptare, duke sjellë zgjidhje krijuese e teknike që pasuruan gjuhën filmike të kohës dhe mbeten pjesë e rëndësishme e historisë së kinematografisë sonë.”, thuhet në mesazhin e AQSHF-së.

Përkushtimi si pedagog në akademinë “Marubi”

Përveç punës së tij direkt pas kamerës si krijues dhe operator, Faruk Basha ka lënë gjurmë të thella edhe në edukimin e brezave të rinj të kineastëve. Për vite me radhë, ai punoi si pedagog në Akademinë e Filmit dhe Multimedias “Marubi”, duke transmetuar përvojën e tij te kineastët e rinj.

“Përtej kontributit të tij si operator dhe krijues, Faruk Basha iu përkushtua për shumë vite edhe edukimit të brezave të rinj të kineastëve, duke ndarë dijen, përvojën dhe pasionin e tij me studentët e Akademisë së Filmit dhe Multimedias ‘Marubi’. Me përkushtimin e tij si pedagog, ai ndikoi në formimin profesional dhe artistik të shumë të rinjve që sot vijojnë rrugëtimin e tyre në kinematografi.”, theksohet në postim.

Institucioni i Filmit dhe Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sporteve u shprehën ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, kolegeve dhe miqve të të ndjerit, duke nënvizuar se vepra dhe kontributi i tij do të mbeten pjesë e palëkundur e trashëgimisë sonë kinematografike.

/rtsh.al/  


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme