Ndarja e parakohshme nga jeta e gazetarit Enrik Mehmeti /  Kryeministri Edi Rama merr pjesë në homazhet e dhimbshme në Vlorë

Aktualitet | 3 muaj më parë

Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë sot në homazhet për gazetarin e ndjerë Enrik Mehmeti, të mbajtura në teatrin “Petro Marko” në Vlorë.

Rama ka shprehur ngushëllimet familjarëve dhe kolegëve të gazetarit, duke nënvizuar dhimbjen e madhe për humbjen e një zëri të rëndësishëm të medias shqiptare. 

Gazetari Enrik Mehmeti u nda nga jeta tragjikisht në moshën 40-vjeçare, pas një aksidenti me motor në plazhin e Porto Novës, në Zvërnec.

Ai ishte i njohur për raportimet e tij të vazhdueshme nga qarku i Vlorës, duke sjellë me profesionalizëm ngjarjet më të rëndësishme të zonës , nga kronika e zezë, operacionet policore, deri te zhvillimet sociale, politike dhe turistike.

Mehmeti njihej për praninë e menjëhershme në vendngjarje dhe për këmbënguljen për të sjellë informacion të verifikuar, edhe në situata të vështira. 

Në homazhe morën pjesë familjarë, miq, kolegë dhe qytetarë të shumtë, të cilët i dhanë lamtumirën e fundit gazetarit.

Ceremonia e varrimit do të zhvillohet sot në orën 14:00, ku familjarë, miq dhe kolegë do të përcjellin për në banesën e fundit gazetarin Enrik Mehmeti. 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme