Ndarja nga jeta e mjekut Edi Tushe, ministrja Sala: Kujtimi dhe vepra e tij, pjesë e rëndësishme e historisë së mjekësisë shqiptare

Aktualitet | 5 muaj më parë

Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, ka reaguar për ndarjen nga jeta të mjekut neonatolog, pedagogut dhe mentorit, Dr. Edi Tushe, duke e cilësuar atë si një nga personalitetet më të shquara të mjekësisë shqiptare.

Në reagimin e saj, Sala vlerëson kontributin e Dr. Tushes në themelimin dhe zhvillimin e neonatologjisë moderne në Shqipëri, si dhe rolin e tij në formimin profesional të brezave të tërë mjekësh. Ajo thekson se sistemi shëndetësor humbi një figurë që me punën, dijen dhe vizionin e tij ka ndikuar në përmirësimin e jetës së mijëra fëmijëve dhe familjeve shqiptare. Sala e ka cilësuar kujtimin dhe veprën e Dr. Tushes si pjesë të rëndësishme të historisë së mjekësisë shqiptare.

“Trishtim dhe dhimbje për ndarjen nga jeta të Dr. Edi Tushes, mjek neonatolog, pedagog, mentor dhe një prej personaliteteve më të shquara të mjekësisë shqiptare.

Dr. Tushe ishte ndër themeluesit dhe kontribuesit më të rëndësishëm në zhvillimin e neonatologjisë moderne në Shqipëri, duke lënë një trashëgimi të vyer në kujdesin për të porsalindurit dhe në formimin profesional të brezave të tërë mjekësh.

Sot, sistemi ynë shëndetësor humbet një prej njerëzve që me punën, dijen dhe vizionin e tij kontribuoi në përmirësimin e jetës së mijëra fëmijëve dhe familjeve shqiptare.

Në emër të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve, miqve dhe kolegëve të tij. Kujtimi dhe vepra e Dr. Edi Tushes do të mbeten përherë pjesë e historisë së mjekësisë shqiptare. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!”, shkruan Sala në rrjetin social Facebook.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme