Ndërprerja e energjisë elektrike në Spanjë e Portugali, presidenti i KE: Nuk ka të dhëna për sulm kibernetik

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa ka deklaruar se nuk ka të dhëna se ndërprerja e sotme (28 prill) e energjisë elektrike në Spanjë dhe Portugali të jetë shkaktuar nga një sulm kibernetik.
Komisioni Evropian thotë se është në kontakt me autoritetet spanjolle dhe portugeze për të kuptuar shkakun themelor të errësirës së sotme.
Po ashtu edhe Kryeministri i Portugalisë Luis Montenegro ka pohuar se nuk ka asnjë indikacion se një sulm kibernetik qëndron pas ndërprerjes së energjisë elektrike që ka prekur Portugalinë dhe Spanjën.
Duke folur për gazetarët, ai thotë se “shkaku i ndërprerjes së energjisë elektrike është ende i panjohur, por tani është e qartë se nuk e ka origjinën në Portugali”.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka qenë gjithashtu në kontakt me kryeministrin e Spanjës Pedro Sánchez.
Autoritetet evropiane do të “koordinojnë përpjekjet dhe do të ndajnë informacione për të ndihmuar në rivendosjen e sistemit të energjisë elektrike”, shkruan von der Leyen në mediat sociale.
Operatori portugez i energjisë elektrike tha më herët se ndërprerja mund të jetë shkaktuar nga një fenomen i rrallë atmosferik, lidhur me ndryshimet e temperaturave.
Operatori spanjoll i rrjetit ka thënë se energjia po rikthehet në disa zona të veriut, jugut dhe perëndimit të gadishullit [Iberik].
Një ndërprerje masive e energjisë elektrike ka goditur Spanjën dhe Portugalinë këtë të hënë (28 prill), duke lënë miliona njerëz pa energji dhe duke shkaktuar kaos në qytetet më të mëdha të dy shteteve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




