Ndërron jetë Mitropoliti i Gjirokastrës, Dhimitri

Aktualitet | 1 vit më parë

Është ndarë nga jeta Mitropoliti i Gjirokastrës, Dhimitri. Lajmi u bë me dije nga Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë përmes një postimi në rrjetet sociale. Mitropoliti i Gjirokastrës u shtrua në Spitalin e Përgjithshëm Universitar të Janinës, për shkak të një infeksioni respirator dhe të endokarditit. Por, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai nuk arriti ta mposhtte sëmundjen dhe më 28 qershor ndërroi jetë si pasojë funksionimit të pamjaftueshëm të shumë organeve.

Shërbesa e përshpirtjes (trisaia) për prehjen e shpirtit të tij u krye në kishëzën e Kryepiskopatës së Shenjtë të Tiranës. Shërbesa e varrimit do të mbahet në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, në Gjirokastër, më 1 korrik 2025, në orën 11:00.

Mitropoliti i Gjirokastrës, Dhimitri, u lind në Serres të Greqisë, në shtator të vitit 1940. Studimet i kreu në Fakultetin e Teologjisë të Universitetit “Aristoteli” të Selanikut, ku edhe u diplomua.

Jeta e tij u karakterizua nga përkushtimi i plotë ndaj Kishës. Ishte anëtar i vëllazërisë monastike të Manastirit të Hirshëm të Shën Ekaterinës në Malin Sinai (Egjipt), ku u bë murg në vitin 1974. Në këtë manastir, ai punoi në fushën e paleografisë dhe të sistematizimit të dorëshkrimeve të vjetra, të cilat përbëjnë një nga pasuritë më të njohura të këtij manastiri. Ai iu bashkua veprimtarisë misionare të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë që në hapat e saj të parë, pas mbërritjes së Kryepiskopit Anastas në gusht të vitit 1991. Nga vjeshta e vitit 1994 shërbeu si Protosingjel i Mitropolisë së Gjirokastrës.

Zgjedhja e tij në fronin e Mitropolisë së Gjirokastrës u bë më 11 nëntor 2006, nga Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, pas Asamblesë së Përgjithshme Kleriko-Laike, e cila miratoi Statutin e Kishës. Ai u dorëzua episkop më 16 nëntor 2006, në Kishën e Ungjillëzimit të Hyjlindëses në Tiranë, ndërsa ceremonia e fronëzimit të tij u krye më 26 nëntor 2006 në Gjirokastër, në Kishën e Shenjtë të Kryeengjëjve.

Gjatë periudhës së shërbesës së tij si mitropolit, ai dha një kontribut të rëndësishëm në ringjalljen e Kishës Ortodokse në Shqipërinë e Jugut. E udhëhoqi shpirtërisht grigjën e tij për 19 vjet, duke ndërtuar kisha, zhvilluar katekizmin dhe veprimtarinë filantropike, si dhe duke forcuar jetën shpirtërore të besimtarëve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme