Ndërtimi i paligjshëm i 5-katëshit në Qeparo, arrestohen Shefi i Krimeve dhe Specialisti i Hetimit, në kërkim ish-Shefi i Komisariatit dhe një specialist i policisë së zonës

Katër punonjës të Policisë së Shtetit po procedohen nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, pasi dyshohet se kanë lejuar ndërtimin e një objekti 5-katësh pa leje në Qeparo. Dy prej tyre janë arrestuar, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim.
Objekti u shemb nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT), ndërsa pas konstatimit të ndërtimit të paligjshëm, Policia e Shtetit arrestoi në flagrancë poseduesin e ndërtesës.
Sipas AMP-së, hetimet e deritanishme kanë nxjerrë në pah përfshirjen e zinxhirit komandues të strukturave policore të Komisariatit të Policisë Himarë. Konkretisht, katër punonjës policie po procedohen për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Punonjësit e proceduar janë:
Emiljano Prenga, me detyrë Shef i Krimeve në Volum, në Komisariatin e Policisë Divjakë, ndërsa më parë ka mbajtur detyrën e Shefit të Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Himarë. Ai është i arrestuar.
Klodian Petani, me detyrë Specialist i Hetimit të Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, ndërsa më parë ka shërbyer në të njëjtën detyrë në Komisariatin e Policisë Himarë. Ai është i arrestuar.
Ferit Merkaj, me detyrë Shef i Seksionit të Trafiqeve në DVP Vlorë, ndërsa më parë ka qenë Shef i Komisariatit të Policisë Himarë. Ai është shpallur në kërkim.
Redin Çaushaj, me detyrë SPZ në Komisariatin e Policisë Himarë, i shpallur në kërkim.
AMP bën me dije se, në vijim të veprimeve procedurale, dy prej punonjësve të shpallur fillimisht në kërkim janë paraqitur dhe janë ndaluar me iniciativë. Ndërkohë, dy punonjësit e tjerë nuk janë gjetur në banesat e tyre dhe, pavarësisht njoftimeve, nuk janë paraqitur pranë strukturave përkatëse.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore deklaron se hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit dhe dokumentimin e përgjegjësive ligjore të personave të përfshirë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



