“Ndërtuesit” dalin para gjykatës, njëri prej tyre jep garanci pasurore 100 mijë euro, mbeten në burg Sota e të tjerë

Aktualitet | 5 muaj më parë

Ndërtuesit e ndaluar pak ditë më parë në kuadër të një megaoperacioni për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash dolën sot para Gjykatës së Posaçme për verifikimin e masave të sigurisë.

Gjykata vendosi të lërë në fuqi masën “arrest në burg” për Orgest Birçajn, Dritan Agën dhe Orest Sotën. Për Edmond Jaupin u caktua masa “arrest shtëpie”, ndërsa Gëzim Islami u lirua kundrejt garancisë pasurore për arsye shëndetësore.

Në seancë u paraqitën fizikisht Orgest Birçaj, Dritan Aga, Edmond Jaupi, Gëzim Islami dhe Orest Sota. Gjatë seancës, avokati i biznesmeni Orest Sota, kërkoi caktimin e një mase më të lehtë sigurie, duke pretenduar se nuk provohet përfshirja e tij në proces.

Seanca nisi në orën 09:00 dhe u ndërpre për rreth dy orë, pasi avokatët mbrojtës kërkuan kohë për t’u njohur me aktet hetimore.

Në sallën e gjyqit ishin të pranishëm kreu i SPAK, Altin Dumani, prokurorja e çështjes Elida Kaçkini dhe gjyqtarja Flojera Davidhi.

Sipas hetimeve, të dyshuarit janë pjesë e një rrjeti të gjerë kriminal që dyshohet se ka trafikuar mbi 6.7 ton kokainë nga Amerika Latine drejt porteve të Belgjikës dhe Holandës. Droga dyshohet se transportohej përmes rrugëve të sofistikuara ndërkombëtare dhe fshihej në ngarkesa tregtare si qymyr, fruta dhe sojë.

Hetuesit pretendojnë se rrjeti ishte i strukturuar dhe i shtrirë në disa shtete, nga prodhimi në Amerikën Latine deri te shpërndarja në Europë. Në krye të dy organizatave kriminale dyshohet se qëndrojnë Luçiano Koçeku dhe Alfredo Hamzai, të cilët konsiderohen drejtuesit kryesorë të aktivitetit.

Operacioni i 12 qershorit çoi në lëshimin e rreth 20 masave të sigurisë dhe sekuestrimin e pasurive të shumta, përfshirë vila, apartamente, llogari bankare dhe automjete luksoze në disa zona të vendit. Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet po analizojnë edhe rrjetin financiar të dyshuar, ku fitimet nga trafiku dyshohet se janë investuar në prona dhe biznese.

Gazetare: Lusi Pergjegji

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme