Ndikimi në shëndet nga rritja e temperaturave, të moshuarit dhe fëmijët më të prekur nga virozat
Rritja e temperaturave ka sjellë shtim të rasteve pranë urgjencave mjekësore e veçanërisht në zonat rurale.
Në njësinë administrative Rrethina, bluzat e bardha bëjnë me dije se nga ky ndryshim i temperaturave më së shumti janë prekur të moshuarit dhe moshat pediatrike.
“Aktualisht situata është deri diku e qetë. Kanë filluar rastet që ne i presim me kalimin zyrtarisht në stinën e verës, megjithatë nuk mund të themi që kemi një fluks të papërballueshëm. Është një ritëm i pritshëm. Pra, përpos pacientëve kronikë, grupmoshat më të rritura paraqiten kryesisht me luhatje të tensionit arterial ose në disa raste, hipertensionit të pamenaxhuar apo hipotensione. Te moshat pediatrike kanë filluar gjendjet virale,” tregon Dr. Edona Tafa.
Qendra shëndetësore Rrethina administron 10 ambulanca, në të cilat çdo ditë paraqiten 7–10 persona që kërkojnë ndihmë mjekësore.
“Përgjithësisht 7–8 persona janë çdo ditë për ato që ne i quajmë vizita akute, pra, jashtë atyre që ne kemi të planifikuara me të sëmurët kronike apo me vizitat rutinë të vaksinimeve,” thotë mjekja e qendrës shëndetësore.
Për t’u ardhur në ndihmë banorëve, stafi mjekësor prej disa javësh ka ndërmarrë një sërë masash sensibilizuese e ndër të tjera edhe zhvendosje të orareve, si për kryerjen e check-up-eve ashtu edhe vaksinat, me qëllim evitimin e pikut të temperaturave.
Gazetar: Merisa Gjoni
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




