Në datën 3 korrik nis çarmatimi i anëtarëve të PKK-së kurde duke i dhënë fund kryengritjes së armatosur në Turqi

Europë | 1 vit më parë

Luftëtarët e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, organizata e armatosur e cilësuar si terroriste nga Turqia , do të fillojnë çarmatimin e tyre me një ceremoni simbolike në fillim të korrikut, raportoi sot media kurde Rudaw.

“Midis 3 dhe 10 korrikut, një grup anëtarësh të PKK-së, ndoshta i përbërë nga 20-30 persona, do të dorëzojnë armët gjatë një ceremonie në Sulaymaniyah”, qyteti i dytë më i populluar në Kurdistanin irakian, sipas këtij burimi.

Udhëheqja e PKK-së është tërhequr në malet e Irakut të veriut për shumë vite. Lënia e armëve do të jetë “një masë për ndërtimin e besimit” dhe “një gjest vullneti të mirë”, raportoi Rudaw, duke cituar dy burime në Kurdistanin irakian.

Mesazh i ri nga Öcalan

Sipas këtyre burimeve, udhëheqësi i burgosur i PKK-së, Abdullah Oçalan, do të lëshojë një mesazh të ri në lidhje me procesin e paqes “në ditët në vijim”.

Menjëherë pas kësaj, “procesi i çarmatimit do të fillojë zyrtarisht”.

Pasi të dorëzojnë armët, luftëtarët do të kthehen të paarmatosur në bazat e tyre. Rudaw mohoi raportet se ata mund të mbahen në disa qytete në Kurdistanin irakian.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se në ditët në vijim do të takohet me një delegacion nga partia prokurde DEM, e cila luajti një rol kyç në shkëmbimin e mesazheve midis Oçalanit dhe Ankarasë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme