Në prag të takimit me Trumpin-Zelensky kërkon sanksione të forta kundër Rusisë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky bëri thirrje për “sanksione të forta” kundër Moskës, ndërsa përgatitet të udhëtojë drejt Nju Jorkut këtë javë, ku pritet të takohet me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
“Rusia duhet të ndiejë pasojat e veprimeve të saj. Nevojitet një kundërveprim i mjaftueshëm për t’i detyruar ata të kërkojnë paqe,” tha Zelensky në një postim në rrjetet sociale të dielën.
Ai shtoi se sanksionet e forta janë një mjet që do të pengojë Rusinë të bëhet një kërcënim për vendet e BE-së.
Zelensky theksoi se Ukraina po mbrohet nga sulmet ruse “pothuajse çdo ditë” dhe se mijëra komponentë të huaj, të prodhuar në Evropë, SHBA dhe Japoni, janë gjetur në armët ruse.
“Duhet të ndërpresim të gjitha rrugët e mundshme të furnizimit dhe mjetet për të shmangur sanksionet,” u shpreh ai.
Gjatë vizitës në Nju Jork, Zelensky pritet të diskutojë me Trump për qartësime lidhur me garancitë e sigurisë që SHBA-ja është e gatshme të ofrojë si pjesë e një marrëveshjeje paqeje për Ukrainën.
Kërkesa për sanksione më të ashpra vjen pas shkeljeve të hapësirës ajrore të vendeve të BE-së dhe NATO-s nga Moska.
Më herët këtë muaj, të paktën 20 dronë rusë hynë në hapësirën ajrore të Polonisë, një veprim që Varshava e cilësoi si provokim rus.
Po ashtu, të premten, tre avionë luftarakë rusë MiG-31 hynë pa leje në hapësirën ajrore të Estonisë për 12 minuta, një incident që Talini e quajti “provokim jashtëzakonisht i rrezikshëm”.
Komisioni Evropian paraqiti të premten një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë, e cila përfshin masa ndaj subjekteve kineze dhe indiane të përfshira në furnizimin e Rusisë. Kjo paketë ende pret miratimin e qeverive të BE-së.
“Ne presim që paketa e 19-të e sanksioneve të BE-së të jetë vërtet e ashpër dhe që Shtetet e Bashkuara të bashkohen me evropianët,” tha Zelensky në postimin e tij të së dielës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




