Nënë Tereza, Shenjtorja që preku botën/Prezantohen në Vlorë 118 pulla postare nga gjithë bota me figurën e shenjtores
Qyteti i Vlorës ka mirëpritur për herë të parë një ekspozitë filatelike të përmasave të veçanta, me titull “Nënë Tereza, Shenjtorja që Preku Botën”. Koleksioni sjell në vëmendje figurën e Shenjtores shqiptare përmes pullave postare të emetuara në 118 seri nga 118 vende të ndryshme të botës.
Autor i koleksionit, filatelisti Gjon Marku, e cilëson Nënë Terezën një figurë të përmasave të mëdha dhe të papërsëritshme, me një ndikim të jashtëzakonshëm në shërbim të njerëzimit.
“Është njeriu më i botuar. Në qoftë se bota ka botuar Papën, ka botuar më shumë Nënë Terezën sesa Papën. Nënë Tereza është botuar me fëmijët, me papët, është botuar me figura të vendeve arabe, sepse bashkë me Dajanën ka bërë shërbimin e disa vendeve të Afrikës. India ka qenë vendi i parë që ka emetuar Nënë Terezën në pullën postare”, u shpreh Marku.
Ekspozita, e mbështetur nga Bashkia e Vlorës, synon të promovojë figurën e Nënë Terezës si një simbol të krenarisë kombëtare shqiptare, përmes artit dhe historisë së filatelisë.
“Mesazhi më i fortë ishte ai mesazh që mësoi se gjërat e vogla kur bëhen me dashuri të mëdha ndryshojnë botë”, tha Kryetarja Bashkisë Vlorë, Brunilda Mersini.
Në aktivitet ishte e pranishme edhe Kisha Katolike, përmes përfaqësuesit të saj në Vlorë. Në fjalën e tij, prifti e përkufizoi mesazhin e Nënë Terezës përmes dashurisë dhe përkushtimit ndaj të tjerëve.
Përmes koleksionit të pullave postare dhe materialeve me vlerë historike, ekspozita sjell në vëmendje aspekte të jetës, veprimtarisë dhe trashëgimisë së Shenjtores Nënë Tereza, ndërsa synon edukimin historik dhe kulturor të brezave të rinj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



