Nepali ofron ngjitje falas në 97 maja për të nxitur turizmin në rajonet e largëta

Botë | 1 vit më parë

Nepali ka vendosur të ofrojë ngjitje falas në 97 maja të Himalajeve për dy vitet e ardhshme, në kuadër të një nisme për të promovuar turizmin në rajonet më pak të eksploruara të vendit.

Iniciativa vjen në një kohë kur tarifa për ngjitjen në malin Everest (maja më e lartë në botë) do të rritet në 15,000 dollarë nga muaji shtator, duke shënuar rritjen e parë në pothuajse një dekadë.

Sipas Departamentit të Turizmit të Nepalit, qëllimi është të nxiten aventurierët të eksplorojnë zona të reja dhe të zbulojnë “produktet dhe destinacionet e paeksploruara turistike” të vendit.

Ngjitja në majat e Himalajeve është një burim i rëndësishëm të ardhurash për ekonominë nepaleze. Vetëm vitin e kaluar, të ardhurat nga tarifat e ngjitjes arritën në 5.9 milionë dollarë, ku më shumë se 75% e tyre vinin nga ngjitjet në Everest.

97 majat për të cilat do të hiqen tarifat ndodhen kryesisht në provincat e largëta Karnali dhe Sudurpaschim, në perëndim të Nepalit, me lartësi që variojnë nga 5,970 deri në 7,132 metra. Këto rajone mbeten ndër më të varfrat dhe më pak të zhvilluarat në vend.

“Pavarësisht bukurisë së tyre të jashtëzakonshme, numri i alpinistëve është shumë i ulët për shkak të vështirësisë në qasje. Ne shpresojmë që kjo masë do të sjellë më shumë vizitorë dhe zhvillim për këto zona,” u shpreh drejtori i Departamentit të Turizmit, Himal Gautam.

Kjo politikë pritet të motivojë alpinistët të eksplorojnë alternativa të reja ndaj Everestit dhe të kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në të gjithë territorin nepalez.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme