“Netët korçare të poezisë”, vjen në fundjavë edicioni i 29-të i festivalit ndërkombëtar

Kjo fundjavë do të sjellë në qytetin e Korçës poetë nga e gjitha bota, të cilët do të jenë pjesë e festivalit ndërkombëtar “Netët korçare të poezisë”.
Festivali frymëzohet nga vargjet e poezisë së Asdrenit, poetit të shquar të himnit kombëtar shqiptar, të përzgjedhura nga vëllimi poetik “Rreze drite”.
“Të dyja netët e festivalit do të zhvillohen në orën 19:00. Natën e parë do të jetë hapja solemne e festivalit ‘Netët korçare të poezisë’ dhe poetët e ftuar nga Shqipëria, nga diaspora, Kosova, Greqia, personalitete nga Izraeli, Franca dhe Italia do të performojnë poezitë e tyre në gjuhën amë. ‘Rreze drite’ e Asdrenit është një temë e festivalit, ku poezitë konkurruese të gjitha kanë përmbajtjen rreze drite, të cilat do të recitojnë aktorët dhe të rinjtë e talentuar të qytetit të Korçës,” thotë Jorida Tollkuçi, drejtore e bibliotekës publike “Thimi Mitko”.
Një juri me profesionistë do të bëjë vlerësimin e poezive dhe përcaktimin e pesë çmimeve fituese.
“Juria prestigjioze është e përbërë nga tre anëtare: Entela Kasi, drejtore e Qendrës Penë për Shqipërinë; Pierre Ech-Ardour, personalitet francez, botues dhe poet; dhe Prof. Dr. Jonela Spaho, dekane e Fakultetit të Filologjikut dhe Edukimit,” tregon znj. Tollkuçi.
Bashkëthemelues i këtij festivali ka qenë liriku korçar Skënder Rusi, ndërsa sot ky festival vjen si një organizim i bibliotekës publike të qytetit, “Thimi Mitko”, me mbështetjen e Bashkisë Korçë.
Edicioni i 29-të i Festivalit Ndërkombëtar “Netët Korçare të Poezisë” do të mbahet në datat 24 dhe 25 maj.
Gazetare: Geralda Manushi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




